GJERMANI – Pyetje për Holokaustin në testin e natyralizimit

by admin
Spread the love

BERLIN, 27 mars /ATSH-AFP/ – Berlini planifikon të fusë pyetje mbi Holokaustin, Izraelin dhe Judaizmin në testet e tij për të fituar shtetësinë gjermane, në përgjigje të veçantë ndaj rritjes së antisemitizmit, tha ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, në një intervistë që do të publikohet nesër.

”Antisemitizmi, racizmi dhe çdo formë përbuzjeje për njerëzimin përjashtojnë mundësinë e natyralizimit”, deklaroi Nancy Faeser, në një intervistë për të përjavshmen ”Der Spiegel”.

Ringjallja e akteve antisemite në Gjermani që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës pas sulmit të 7 tetorit e ka shtyrë qeverinë e Olaf Scholz të vërë në dyshim kushtet për natyralizimin.

”Gjermania ka një përgjegjësi të veçantë ndaj hebrenjve dhe shtetit të Izraelit pas Holokaustit, një krim kundër njerëzimit që ajo kreu”, nënvizoi ministrja.

”Ata që duan të bëhen gjermanë duhet të dinë çfarë do të thotë kjo dhe të angazhohen për të marrë përsipër këtë përgjegjësi për Gjermaninë, e cila është pjesë e identitetit të vendit”, tha Nancy Faeser.

”Ky angazhim duhet të jetë i qartë dhe i besueshëm”, shtoi ajo.

Ndërmarrja sistematike e shfarosjes e kryer nga Gjermania naziste çoi në vdekjen e gjashtë milionë hebrenjve.

Ndër pyetjet e ardhshme të përfshira në testin e natyralizimit ”Der Spiegel” përmendi veçanërisht pyetjet Si quhet vendi i adhurimit të hebrenjve? Kur u themelua shteti i Izraelit? Pse Gjermania ka një përgjegjësi të veçantë ndaj Izraelit?

Më 19 janar, deputetët gjermanë miratuan një ligj që lehtëson kushtet për marrjen e shtetësisë.

Me legjislacionin e ri mundësohet pajisja me pasaportë gjermane pasi të keni jetuar në vend pesë vjet dhe jo tetë si më parë.

Në rast se integrimi konsiderohet veçanërisht i suksesshëm (në lidhje me punën ose angazhimin vullnetar), natyralizimi bëhet i mundur pas një qëndrimi tre vjeçar në Gjermani./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like