GJENEVË – Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut mblidhet mes ‘goditjeve sizmike globale’

by admin
Spread the love

GJENEVË, 26 shkurt /ATSH-DPA/- Luftërat, konfliktet dhe tensionet ishin në qendër të vëmendjes në takimin e Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut sot në Gjenevë.

Komisioneri i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Türk foli për “një goditje sizmike globale”.

“Dhimbja dhe masakra e kaq shumë njerëzve në Lindjen e Mesme, Ukrainë, Sudan, Myanmar, Haiti dhe shumë vende të tjera në mbarë botën janë të padurueshme”, tha Türk.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres foli për polarizimin e rrezikshëm që po ndodh sot në botë.

Ai i bëri thirrje komunitetit global që të afrohen së bashku, në vend që të vazhdojnë t’i japin hapësirë urrejtjes dhe nëpërkëmbjes së të drejtave të njeriut.

Në kuadër të luftës së vazhdueshme në Rripin e Gazës, Guterres tha se ligji humanitar pranon se terrorizimi i civilëve dhe privimi i tyre nga ushqimi, uji dhe kujdesi shëndetësor është një recetë për zemërim të pafund, tjetërsim, ekstremizëm dhe konflikt.

Shumë vende kane akuzuar botën perëndimore për zbatimin e standardeve të dyfishta.

Ndërsa ata denoncojnë shtypjen e udhëheqjes myslimane të Iranit, ata nuk marrin parasysh shkeljet e të drejtave të njeriut kundër popullsisë muslimane në Rripin e Gazës. Vendet perëndimore e kanë hedhur poshtë këtë akuzë.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock gjithashtu ka planifikuar të marrë pjesë sot në takimin e OKB-së.

Ajo do të mbrojë një grup ekspertësh që monitorojnë abuzimet e të drejtave të njeriut gjatë shtypjes brutale të protestave të Iranit pas vdekjes në paraburgimin policor të Mahsa Amini më 16 shtator 2022.

Amini u arrestua nga e ashtuquajtura policia e moralit për shkelje të kodit islamik të veshjes në fuqi në Iran. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like