Sistemi shëndetësor do të funksionojë pa pengesa gjatë kohës së Samitit të OSBE-së, vetëm me kapacitete të përforcuara, deklaroi sot zëvendës ministrja e Shëndetësisë, Maja Manoleva. Për Samitin e OSBE-së, nga Ministria e Shëndetësisë u nominua një person për kontakt, i cili do të jetë në komunikim të vazhdueshëm me persona të ngarkuar me organizimin e Samitit. “Ky person do t’i koordinojë aktivitetet eventuale, të nevojshme për mbrojtjen shëndetësore të pjesëmarrësve në Samit. Përveç kësaj, nga institucionet më të mëdha shëndetësore, publike dhe private, janë nominuar një numër i caktuar i personave, të cilët po ashtu në kuadër të atyre institucioneve, do t’i koordinojnë aktivitetet e nevojshme eventuale“, sqaroi ajo. Manoleva theksoi se shërbimet e Ndihmës urgjente mjekësore janë sistemuar në disa pika të caktuara strategjike. Shërbimi i rregullt i NUM nuk do të preket dhe ai do të jetë në dispozicion për popullatën, janë ndërmarrë më shumë automjete nga qytetet tjera. Institucionet shëndetësore publike në pajtim me vendimin e Qeverisë nuk përfshihen me rekomandimet për ndërprerje të punës pas orës 12:00 edhe nesër.