Giacomo Vrioni, “Swarovski” i Tirolit në Bundesligën e Austrisë

by admin
Spread the love

Wattens është një qytet i vogël në Austri, me më pak se 8 000 banorë, pranë Innsbruuck, qendrës së Tirolit.

Një qytet i cili është më i famshëm për Swarovskin sesa për futbollin. Tiroli është një skuadër që në këtë sezon po lufton me mbijetesën në Bundesligën e Austrisë, por te kjo skuadër është një lojtar i cili ka ringjallur entuziazmin e të gjithëve: Giacomo Vrioni.

Skuadra e drejtuar nga Thomas Silberberger momentalisht pozicionohet në vendin e 10-të, me 13 pikë në 13 javë. “Bomberi” i skuadrës është pikërisht sulmuesi shqiptar, i cili ka shënuar 7 gola në 11 ndeshje, duke marrë të gjithë vëmendjen e qytetit dhe të skuadrës, që duket se shpresat i ka të gjitha tek ai.

Sulmuesi 23-vjeçar, i cili ka në CV-në e tij dy ndeshje me përfaqësuesen e Edy Rejas, shkoi te skuadra e Tirolit në formë huazimi nga Juventusi dhe rritja e tij është graduale dhe shumë premtuese. Një eksperiencë e re për të, larg vëmendjes, por Vrioni u përshtat shumë mirë në skemat e teknikut Silberberger.

Një figurë kryesore e Tirolit, i cili e mori skuadrën nga Divizioni i Tretë dhe e dërgoi në Bundesligë. Trajneri besoi menjëherë në aftësitë e djaloshit shqiptar, i cili e falënderoi nën tingujt e golave dhe me formën mbresëlënëse, madje duke gjetur rrjetën edhe ndaj emrave si Austria e Vjenës dhe LASK Linz.

Në krahun tjetër është Juventusi, shtëpia e Vrionit, pasi “Zonja e Vjetër” nuk ka hequr dorë nga sulmuesi dhe për më tepër e ndjek me shumë interes. Në vitin 2018, Vrioni debutoi në mesin e profesionistëve me Venezian në Serinë B, ndërsa në 1 gusht 2020 debutoi në elitën e futbollit italian, në ndeshjen Juventus-Roma, duke marrë vendin e Gonzalo Higuainit.

Vrioni ishte pjesë e të rinjve të Juves sezonin e kaluar, ndërsa përvoja në Austri konsiderohet një barometër për cilësitë e tij. Megjithatë, syri i bardhezinjëve është tek ai, e studiojnë nga larg dhe ndjekin në heshtje rritjen graduale të djaloshit i cili ka pushtuar Austrinë, madje duke zbehur dhe atë me të cilën Wattens krenohet, Swarovskin. Vrioni deri tani ka shënuar 5 gola në 9 ndeshjet e kampionatit dhe 2 gola në 2 ndeshjet e Kupës së Austrisë.


Top Channel

You may also like