Gazeta e njohur greke: Scholz kërkon fillimin e negociatave me Shqipërinë edhe duke anashkaluar veton e Athinës

by admin
Spread the love

TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ – Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka kërkuar integrimin e Shqipërisë edhe duke anashkaluar veton e Athinës, shkruan gazeta e njohur greke ”I Efimeridha ton Sintakton”.

”Lajme të këqija për synimet e qeverisë greke për çështjen Beleri vijnë nga Gjermania, ku Olaf Scholz mbështet hapur fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe madje propozoi metodën e vendimmarrjes me procedurën e shumicës së cilësuar.

Deklaratat e kancelarit gjerman mund të jenë më të përgjithshme për të gjitha vetot, por referimi për Shqipërinë si shembull fotografon zhvillimet e fundit dhe kërcënimin e Athinës për veto nëse nuk ka zhvillime në çështjen Beleri.

Olaf Scholz shprehu pakënaqësinë e tij për vonesën në procesin e pranimit duke vënë në dukje se “është koha që ne të gjithë të shohim pamjen globale dhe kjo vlen si për vendet kandidate ashtu edhe për vendet anëtare të BE”.

Ai ishte pro përshpejtimit të procedurave të anëtarësimit dhe marrjen e vendimeve me shumicë të cilësuar, edhe në kuadër të procesit të anëtarësimit.

”Kur një vend ka kaluar nëpër reforma të mëdha si në rastin e Shqipërisë, kjo duhet njohur, përndryshe ekziston rreziku i pasojave të gjera në procesin e përgjithshëm të zgjerimit, të cilat ne nuk mund t’i lejojmë”, tha ai në një fjalim në parlamentin gjerman.

Mitsotakis do të marrë pjesë në një darkë pune në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor, me burime qeveritare që deklarojnë se qëndrimi i vendosur i Greqisë është të mbështesë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, si një investim në stabilitetin, zhvillimin dhe prosperitetin e rajonit.

Megjithatë, ata shtojnë se kjo i nënshtrohet kushtëzimit të njohur, pra nëse vendet kandidate i plotësojnë kushtet dhe i zbatojnë reformat e kërkuara.

Konkretisht, ata shprehen se ky është një proces i vështirë dhe i dhimbshëm që varet nga e njëjta performancë e vendeve kandidate.

Dhe, gjithsesi, një parakusht themelor është respektimi i vlerave themelore evropiane dhe reformat në lidhje me shtetin e së drejtës dhe veçanërisht mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e minoriteteve.

Duke iu referuar konkretisht procesit të anëtarësimit të Shqipërisë, të njëjtat burime theksojnë se qëndrimi i Greqisë është i qartë dhe i është shpjeguar palës shqiptare, duke sqaruar se Greqia nuk do të pranojë procesin e anëtarësimit nëse nuk ka progres për çështjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarër, Fredi Beleri./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like