Gaza, “qytet i forcës” apo “qytet i shpresës”?

by admin
Spread the love

Sot ndodh një dramë e re, në një sipërfaqe prej 365 km², me gjatësi prej 41 kilometrash dhe me gjerësi 6-12 km, ku jeton një popullatë prej afër 2 milionë banorësh, me popullatë të re me nivel papunësie prej diku 46 për qind, ndërsa tek të rinjtë arrin deri më 70 për qind, në izolim total, prej tokës, detit dhe ajrit, që e kërkojnë të njëjtën vlerë, lirinë. Gjykuar sipas mënyrës si zhvillohet lufta, që është shumë e ngjashme me atë që bënte Serbia dhe e kundërta me luftën e intervenimit të NATO-s në Kosovë, shtrohet pyetja: si do të duket rendi i ri botëror dhe çfarë vlera do të promovojë?

Rizvan SULEJMANI, Shkup

Gaza është një emër që në internet e gjeni si fjalë që vjen nga hebraishtja Azzah, që do të thotë “qytet i fortë”. Ndërkaq termi i “forcës” lidhet indirekt me Gazën në Bibël. Sipas librit të Gjykatësve, Samsoni mbinjerëzor u burgos në Gaza nga filistinët, përpara se ta rifitonte forcën e tij dhe ta shkatërronte tempullin e Dagonit, që e ka kuptimin e zotit të filistinëve dhe fenikasve. Ky vend me lashtësi biblike sërish aktualizohet përmes lajmeve të tmerrit, vuajtjeve, urisë dhe humbjes së jetëve njerëzore, kryesisht të grave dhe fëmijëve, që shprehin forcën e qëndrueshmërisë mu si gjeneza e emrit. Një situatë të tillë të ngjashme e kishim në vitin 1999 në Kosovë, që për serbet dhe shqiptarët e ka kuptim mitik, e që mbaroi me intervenimin të NATO-s mbi Serbinë. Kjo luftë, në aspektin gjeopolitik, e përmbylli përfundimisht procesin e zhbërjes së botës bipolare dhe e legalizoi ngritjen e një bote unipolare me qendër SHBA-në. Lufta që sot zhvillohet në Gaza nga shumë analistë shihet si fillimi i zhbërjes së këtij sistemi dhe një rirreshtimi të ri gjeopolitik. Se si do të duket ai dhe mbi çfarë vlera do të ngrihet, kjo ende nuk dihet.

Historikisht është përdëftuar se pas çdo lufte ose kthese historike qëndron një ideal, një vlerë, me pretendimin për t’u shpallur për universale, kurse promovuesit e saj e shohin veten si misionarë. Kështu ndodhi me imperializmin, fashizmin, komunizmin dhe, së fundmi, me demokracinë liberale dhe ekonominë e tregut. Bota unipolare filloi me rënien e Murit të Berlinit, kulmoi në ish Jugosllavi, kurse mbaroi në Kosovë. Frymëzimi për këtë ishte ideali i lirisë dhe demokracisë. Intervenim i NATO-s, përveç që ia solli lirinë Kosovës, pati edhe efekte marramendëse anësore. Vlerat e lirisë dhe demokracisë, bazuar në të drejtat njerëzore, u shpërndanë gjithandej në vendet ish komuniste, kurse anëtarësim në NATO u bë imperativ për shumë popuj.

Akti i fundit i kësaj drame, që bëri kthesën gjeopolitikë, ndodhi në një vend me diku 10.000 km² ku jetonte një popullatë prej afër 2 milionë banorë, e persekutuar, e izoluar e me papunësi të lartë e arsim paralel, që nuk kërkonte asgjë më shumë se lirinë. Lufta që e zhvilloi NATO e ndoqi me përpikëri filozofinë e lirisë individuale, pasi në shënjestër u vendosen vetëm caqet legjitime, bile edhe në qendër të Beogradit, pa u dëmtuar popullata civile, me përjashtime të vogla si dëme kolaterale. E kundërta e kësaj ishte lufta që e zhvillonte Serbia në terren, me shkelje masive të të drejtave të njeriut përmes dëbimeve me dhunë, vrasjes së civilëve e vrasjes së fëmijëve. Kjo luftë u cilësua si triumf i drejtësisë karshi padrejtësisë.

Sot ndodh një dramë e re, në një sipërfaqe prej 365 km², me gjatësi prej 41 kilometrash dhe me gjerësi 6-12 km, ku jeton një popullatë prej afër 2 milionë banorësh, me popullatë të re me nivel papunësie prej diku 46 për qind, ndërsa tek të rinjtë arrin deri më 70 për qind, në izolim total, prej tokës, detit dhe ajrit, që e kërkojnë të njëjtën vlerë, lirinë. Gjykuar sipas mënyrës si zhvillohet lufta, që është shumë e ngjashme me atë që bënte Serbia dhe e kundërta me luftën e intervenimit të NATO-s në Kosovë, shtrohet pyetja: si do të duket rendi i ri botëror dhe çfarë vlera do të promovojë?

Nisur nga forma që e inicioi këtë konflikt dhe nëse atë e shohim si uverturë për një bote të re në ngritje, mesazhi i parë është se jetojmë në kohën e relativizmit total. Nuk ka të mëdhenj dhe të vegjël, të fuqishëm dhe të dobët, të pasur dhe të varfër që injorohen dhe anashkalohen. Konstruktet mitike të shekullit që e lamë pas dhe ato që i ngritëm në dy dekadat e fundit, për të gjithëfuqishmit e të gjithëdijshmit, që i determinojnë dhe dirigjojnë jetët tona, sikur marrin fund. Sot gjithmonë e më tepër na rikthehen në kujtesë tregimet biblike për Goliatin dhe Davidin, të betejës së elefantëve që u mundën me gurët që zogjtë i mbanin sqepat e tyre, siç tregohet në Kuran, por në role të kundërta. Nëse e pranojmë relativizmin si të mirëqenë, porosia më domethënëse duket të jetë mungesa e filozofisë për globalizmin. Kombi si “fe e re” që lindi në kohën e industrializimit duket se nuk është kulmi i filozofisë politike dhe më së paku mund të shpallet për model universal dhe të jetësohet kudo. Të mundohemi t’i shtjellojmë këto dy qëndrime më detajisht.

Si ta shpjegojmë relativizmin? Sa e parëndësishme është fuqia ekonomike dhe ushtarake si garanci për sigurinë në mënyrë plastike u pa me rënien e mbrojtjes ajrore “Kupola e Çeliktë” si kulla prej kartoni, si dhe dështimi i Mosadit, “veshët dhe sytë” e Izraelit, që shohin, dinë dhe kontrollojnë gjithçka. Bindja se izraelitët janë të paarritshëm në standard e mirëqenie ekonomike çdo ditë e më tepër vihet në pikëpyetje, duke parë ngritjen dhe faktorizimin e një bote të ngelur në histori sinonim për arabët dhe myslimanët. Arabia Saudite, me projektet e saj marramendëse, jo vetëm që gjelbëron fusha golfi dhe futbolli, por në shkretëtirat mbi të cilat janë shkruar legjenda për vuajtje nga uria, vapa dhe etja, ndërtohen edhe qendra skijimi. Katari, Emiratet dhe Bahrejni e Kuvajti, çdo ditë e më tepër bëjnë çudira në dete e shkretëtira që paraqesin atraksione të vërteta turistike, por jo vetëm. Në rrafshin global, relativizmi shprehet përmes rënies së qeverive të deklaruara si liberale dhe demokratike, të përkrahura nga Amerika dhe Perëndimi, për t’u zëvendësuar me joliberale që preferojnë Kinën dhe qendrat e tjera në ngritje. Afganistani, Iraku e, së fundi, ballafaqimi me Rusinë në Ukrainë, janë paralajmërime serioze për një rend botëror që perëndon. Mu për këtë relativizëm, autoritetet serioze, si sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stotelnberg, paralajmërojnë rrezikimin e Europës prej Rusisë edhe se fuqia e saj ekonomike, shprehur përmes BPV-së për kokë banori ose edhe përmes buxheteve që ndahen për mbrojtje, është e pakrahasueshme me atë të vendeve të Europës dhe SHBA-së si anëtare të NATO-s.

Pse kemi deficit filozofie për botën e re? Kombit, si “fe e re”, me natyrën e saj izolacioniste, që lindi gjatë Revolucionit Industrial në Europë në shekullin e 19-të, përmes shekullarizimit, si alternativë e feve universale, komprometimin më të madhe e përjeton në “dështimin” e formimit të kombit izraelit mbi terma klasikë perëndimore. Ata që kanë njohuri elementare për shoqërinë izraelite, e dinë se Izraeli është një shtet tejet i fragmentuar, në sektarizma fetarë e etnikë, por lufta kryesore zhvillohet ndërmjet sionistëve, që angazhohen për kombin izraelit shekullarë me premisa biblike, dhe judaistëve, që janë kundër këtij lloj shteti, bile që e shohin shtetin si shkaktar të të gjitha konflikteve. Ideja e shtetit komb të Izraelit lidhet si edhe kudo me shekullin e 19-të, por bëhet realitet me vendim të Kombeve të Bashkuara, sa për të larë ndërgjegjen e vrarë pas asaj që ndodhi me Holokaustin, aq edhe për qëllime gjeopolitike. Kjo e fundit koincidon me zbulimin e rezervave të naftës dhe gazit, që u bë burim i patejkalueshëm energjetik për perëndimin postindustrial.

Teoritë e formimit të kombit njoftojnë se ai zakonisht fillon me një legjendë, që përkujton kohën e ndritshme të dikurshme të një populli që është ruajtur në memorien kolektive të tij. Hebrenjtë kanë shumë legjenda të tilla biblike, por historia i kishte shpërndarë anembanë botës, ku i kishin përvetësuar nga kulturat dhe traditat e vendeve ku jetonin, pa çka se e kishin ruajtur memorien e përkatësisë së tyre fetare. Për një identitet sipëror, nën të cilën do të shkriheshin të gjitha këto grupe me dallime serioze për kuptimin e fesë dhe kombit, nevojitej një ngjitës, çimento. Kështu, ngjitësi që do t’i mbante bashkë këto copëza ishte ideja e kombit që, tradicionalisht, ndiqet nga një inxhiniering që ngre barriera kufizuese për ta ruajtur dallimin prej tjetrit, proklamon supremacinë e vlerave partikulare të grupit dhe i ndrydhë ato universale që i tejkalojnë këta kufij, duke ushqyer një rivalitet me tjetrin, me pretendimin se unë jam më i mirë se ai, se kam avantazhe kulturore e ekonomike, po pse jo edhe ushtarake. Në rastin e kombit izraelit, ai e vendos nën hije prejardhjen semite, që në rrëfimet biblike e lidhin me arabët, për t’i krijuar hapësirë identitetit të veçantë izraelit. Rrëfimi për kombin izraelit ndërtohet në binomin “popull i zgjedhur prej Zotit” që i jep të drejtë për ndjenjën e superioritetit karshi të tjerëve, arabëve, dhe përpjekjen që të ruajë idenë për kombin si “fe e re”, që e mban afër Perëndimit. Superioriteti ekonomik e tekniko-teknologjik momental, por mbi gjitha ai ushtarak, karshi popujve arabë përreth, që sa është produkt i brendshëm, aq më tepër është nga mbështetja e jashtme, ishte argument i fuqishëm për ta mbrojtur idenë e kombit. Projekti i ndërtuar mbi kalkulime racionale dhe inxhiniering politik e diplomatik krijoi unitet mekanik, por jo edhe organik. Përçarja e brendshme ndërmjet Jerusalemit, “shpirtit”, dhe Tel Avivit, “trupit” të këtij populli, siç vetë preferojnë t’i quajnë, vazhdon edhe sot e kësaj dite, bile po ashpërsohet. Sot, diku 38 për qind e popullit izraelit janë ata që janë gati tërësisht të përkushtuar në leximin e Torës, lutje dhe falje, që abstenojnë nga kënaqësitë trupore, përveç shumimit si detyrim dhe jo si kënaqësi. Si rezultat i kësaj, parametrat demografikë janë tejet dinamikë dhe të ndryshueshëm. “Jerusalemi” dhe arabët palestinezë kanë rritje permanente nataliteti për llogari të “Tel Avivit” që ka rënie, me çka ndryshon edhe dinamika politike, që shpërfaqet përmes politikave radikale në njërin dhe krahun tjetër. Për t’i mbajtur bashkë këto fragmentime sektare, etnike e kulturore, nevojitet shtet i madh, me fuqi ushtarake e policore, shërbime sekrete e teknologji të lartë për vrojtim, që vetvetiu e rrit koston e funksionimit të shtetit. Ndërkaq, shteti i madh, për nga definicioni, nënkupton korrupsion të madh, që nëse varet nga ndihmat prej jashtë, edhe më shumë e rrit këtë fenomen shkatërrues. Jorastësisht sot qeveria e Netanjahut njihet si një nga qeveritë më të korruptuara, për çka qytetarët e këtij vendi para luftës ishin në protesta të përhershme.

Nëse më parë numëruam faktorët endogjenë, që gërryejnë unitetin kombëtar, t’i shohim si ndikojnë ata ekzogjenë, kjo si rezultat i ndryshimeve globale në dobësimin e kohezionit të brendshëm. Në rrafshin regjional, ngritja e Arabisë Saudite dhe e shteteve tjera të gjirit në mënyrë dramatike e ndërron perceptimin për arabin beduin, antitezë e shekullarizimit, tek populli izraelit, ndërsa e rrit krenarinë tek popujt e tjerë arabë përreth për përkatësinë e tyre fetare përmes refuzimit të pozitës inferiore jo vetëm ndaj Izraelit, por edhe karshi popujve më të zhvilluar në botë, duke i parë bile si kontaminues të filozofisë së tyre autentike. Ata çdo ditë e më tepër bëhen më kërkues, më agresivë dhe më këmbëngulës për të drejtat e tyre, kurse kjo për Izraelin, me udhëheqësi konservatore, paraqet rrezik që bën presion të ngrihet spiralja e harxhimeve për siguri dhe mbrojtje, kjo deri në paqëndrueshmëri.

Në rrafshin global, përpjekjet për të kaluar në burime energjike të pastra e zvogëlojnë interesimin për një Izrael të fuqishëm, por me kosto të lartë, si model i Perëndimit, kjo në favor të rritjes së interesimit për një qasje tjetërfare ndaj arabëve për t’i pranuar ashtu siç janë. Andaj vjen në shprehje qasja se nëse nuk mund të bëjmë miqësi, së paku të jemi më kooperativë dhe t’i trajtojmë më me dinjitet.

Si rezultat i këtyre rrethanave, që ndryshojnë me shpejtësi marramendëse, derisa elitat politike dhe opinioni publik është i papërgatitur, ata sot përjetojnë kataklizëm mentale, kulturore e shpirtërore. Sulmi i papritur prej toke, ajri dhe deti me fluturake manuale i kujton tregimet biblike për rënien e civilizimeve nga askush. Shumë izraelitë e perceptuan sulmin e 7 tetorit si rënien e “tretë” të Murit të Vajit, pra si simbol i humbjes së shtetësisë. Rrëfimi për kombin, i ngritur mbi idenë se shteti i tretë është i pamposhtur, që erdhi si rezultat i luftës së vitit 1948, kur i mundën 5 shtete arabe, dhe veçanërisht ajo e viti 1967, kur për vetëm 6 ditë ose 132 orë luftime kombi i ri e kishte pushtuar Gadishullin Sinait dhe Rripin e Gazës nga Egjipti, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor nga Jordania dhe Lartësitë Golan nga Siria, bëri që të krijohet iluzioni i shtet-kombit të pathyeshëm që vetëm me 800 ushtarë vret 20.000 ushtarë arabë.

Por, tani ata përjetuan deiluzinizimin. Disa dhjetëra ose edhe qindra palestinezë për vetëm disa orë vranë afër 1400 izraelitë, që mbroheshin nga ushtria më e sofistikuar në botë. Të papërgatitur për këtë realitet të hidhur, nga zemërimi e urrejtja, ata filluan një luftë ndëshkimi, ku fare nuk u kursyen gra, fëmijë dhe civilë, por nuk u panë ushtarë të vrarë të Hamasit dhe as lirimi i pengjeve.

Epilogu

Kur opinioni publik botërorë nuk mund ta duronte këtë thyerje masive të të drejtave të njeriut dhe reagoi fuqishëm, ata u desh të ulen dhe të bisedojnë, qoftë direkt ose indirekt, me ata që vetëm disa ditë më parë i quajtën “harbutë, egërsira” për këmbim të pengjeve në raport 1:3.

Si më andej? Topi është në duart e popullit izraelit dhe palestinez, por mbi gjitha tek elitat politike që e ngritën botën unipolare mbi vlerën e lirisë dhe demokracisë. Dilema do të jetë a ta lanë Gazën të mbetet “qytet i forcës” apo ta kthejnë në “qytet të shpresës”?! Ata duhet të përcaktohen a “do të jetojnë në një botë me ankth pa fund dhe pa ardhmëri apo do të pranojnë një fund me ankth, por që ka ardhmëri?”. Europa, përfshirë Amerikën, që është sinonim për civilizimin perëndimor, ka përvoja të mira nga historia kur nga pësimet nga nxjerrë mësime. Holokausti ishte mësim i mirë për ta. Ajo e kuptoi se nuk mund të ngresh civilizim me dhunim, nuk mund të ketë Europë të krishterë pa pranuar prejardhjen hebreje dhe më së paku si antitezë të saj. Andaj, e bëri sintezën e madhe dhe veten nga “e krishterë” e deklaroi si “hebro-krishtere”. Sot është koha për një kthesë të re, që profesoresha bullgare Marija Todorova e kërkon moti. Është koha që realiteti të shihet me sy dhe të hiqet dorë prej atij imagjinar. Kjo nënkupton një unitet të feve monoteiste, ku Europa do të projektohet si “hebro-krishtere-islame”. Për Izraelin kjo do të thotë të kalojë nga strategjia “unë ju mundi, pastaj bisedoj” në strategjinë “të bisedojmë, që të bashkëjetojmë”. Dilema hamletiane sot është “a do mbetet Gaza qytet i forcës apo qytet i shpresës?!”. /revistashenja

You may also like