GAZA – Hamasi i dorëzon Kryqit të Kuq më shumë pengje izraelite dhe të huaj

by admin
Spread the love

TEL AVIV, 26 nëntor /ATSH-DPA/ – Një grup i dytë pengjesh të mbajtur nga Hamasi në Gaza iu dorëzua dje në mbrëmje Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, konfirmuan grupi militant islamik Hamas dhe ushtria izraelite.

”Kryqi i Kuq solli dje 13 izraelitë dhe katër shtetas tajlandezë përtej kufirit”,  tha ushtria izraelite.

Sipas Katarit, tetë të mitur dhe pesë gra ishin në mesin e izraelitëve të liruar.

Në këmbim, 39 të burgosur palestinezë do të lirohen nga burgjet izraelite.

Sipas Hamasit, ato përfshijnë gjashtë gra dhe 33 të rinj nën moshën 19 vjeç.

Të burgosurit do të lirohen pranë shtëpive të tyre në Bregun Perëndimor ose Jerusalemin Lindor.

Vetëm pak orë para lirimit të pengjeve, Hamasi kishte ndërprerë dorëzimin në momentin e fundit, duke akuzuar Izraelin për thyerjen e kushteve të armëpushimit dhe moslejimin e dërgesave të mjaftueshme të ndihmave në pjesën veriore të Rripit të Gazës.

Izraeli e hodhi poshtë akuzën dhe kërcënoi se do të anulonte armëpushimin.

Ndërmjetësuesit e Katarit, të cilët luajtën një rol kyç në negociatat midis Izraelit dhe Hamasit, njoftuan më vonë dje në mbrëmje se mosmarrëveshja ishte zgjidhur dhe marrëveshja ishte rikthyer.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti amerikan Joe Biden ndërhyri personalisht për të nxitur lirimin e pengjeve dhe foli dje me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.

Të premten, Hamasi liroi një grup të parë prej 24 pengjesh, duke përfshirë 13 shtetas izraelitë dhe 11 shtetas të huaj.

Në këmbim, Izraeli liroi një grup më të madh të të burgosurve palestinezë nga burgjet e tij./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like