Gashi krenar me Elhamiun: Kosova dëshmon se ka kapacitete për arritje ndërkombëtare

by admin
Spread the love

Kampionati europian për senior në karate, u mbajt nga data 25 deri më 29 maj në Gaziantep të Turqisë.
Pjesëmarrës ishin 45 shtete me gjithsej 505 garues nga e gjithë Europa.

Kosova morri pjesë me 17 garues në 5 kategori të luftave tek femrat dhe po aq tek meshkujt si dhe 2 garues në kategorinë kata.

Po ashtu në garat ekipore të kumiteve, Kosova u paraqit në dy gjinitë meshkuj dhe femra.

Përveç paraqitjes dinjitoze të të gjithë garuesve si dhe rangimit në afërsi të zonës së medaljeve, fokusi shkon tek karateisti i mirënjohur Elhami Shabani i cili në kategorinë “Senior Kumite Male -75 kg” ku ishin të paraqitur 38 garuesit më të mirë të 38 shteteve nga Europa.

Elhamiu filloi me fitore në luftën e parë ndaj Suedezit  Ricky Haag për të vazhduar në luftën e dytë ndaj Irlandezit Dean Omahony me rezultat 4:3.
Në luftën e tretë pas një rezultati të barabartë 2:2 ndalet nga garuesi Turk Erman Eltemur i cili kishte “Senshu”(pikën e parë nê meq) dhe i cili më vonë vazhdon deri në finale për tu shpallur kampion i Europës.
Në meçet e repasazhit ballafaqohet me garuesin nga Danimarka Viberg Larsen Mads duke e mposhtur me rezultat 4:3.
Elhamiu me një vendosmëri, shpirt luftarak si dhe dëshirë të madhe për titullin europian, mposht edhe karateistin nga Luksemburgu Adil Khaidar me rezultat 2:0 me të cilën plasohet në zonën e medaljeve dhe e pret lufta për vendin e tretë respektivisht medaljen e bronztë të cilën do ta mbart me krenari pas fitores nga karateisti boshnjak Hamza Turulja me rezultat 2:1. Kryetari i Federatës së Karatesë së Kosovës, Avni Gashi, ka përgëzuar Elhamiun për medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian. 

“Me këtë arritje tê Elhamiut Kosova dëshmon se ka kapacitete për arritje ndërkombëtare vit pas viti pasi që një medalje të tillë të bronztë e kishte fituar para një viti edhe Herolind Nishevci.

Elhami Shabani i lindur në Gjilan të Kosovës në një familje ku tre vëllezër merren me sportin e karatesë dhe njëkohësisht kanë tituj vendor e ndërkombëtarë është edhe një shembull se si me një sakrificë, përkushtim, punë dhe vullnet arrihet gjithçka duke bërë krenar veten, familjen, sportin e karatesë në veçanti e poshtu sportistët e Kosovës në përgjithësi si dhe vet shtetin tonë.

“Një falënderim të veçantë për emocionet e dhëna si dhe ngritjen e nivelit të karatesë së KOsovës”. Suksese më tutje në sport, profesion dhe jetë kampion”, ka thënë Avni Gashi.

You may also like