Gani Sejdiu: Kam besim se Foda është trajneri i duhur që Kosova ta arrijë kualifikimin e shumëkërkuar

by admin
Spread the love

Kosova të premten do të nis rrugëtimin me trajnerin e ri, Franco Foda.

Tekniku gjerman do të ketë dy teste para vetes në muajin mars pasi do të përballet në dy ndeshje miqësore ndaj Armenisë me 22 mars dhe ndaj Hungarisë me 26 mars.

Trajneri kosovar, Gani Sejdiu për ‘GazetaBlic Sport’ ka komentuar mbi listën e lojtarëve të ftuar nga Foda duke thënë se çdoherë ka vend për përmirësime, megjithatë Sejdiu shton se

Foda nga ndeshjet miqësore do të krijoj pasqyrë për të ardhmen se kë do ta përdorë më shumë dhe kë jo.

“Lista e publikuar nga selektori në këto ndeshje, realisht nuk duhet gjykuar shumë duke marrë parasysh se janë ndeshje miqësore dhe ai ka bërë një listë për të provuar lojtarët. Ai me siguri ka pasqyrën e qartë se cilët lojtarë do t’i përdorë më shumë, kurse këto dy lojë miqësore do t’i shfrytëzoj për t’i provuar lojtarët e tjerë të cilët realisht ndoshta nuk e ka një pasqyrë të qartë për ta. Kjo listë nuk duhet të gjykuar pasi nuk besoj që do ta nis me këtë listë fazën eliminatore. Ka vend çdoherë për kritika, ka lojtarë që e meritojnë ftesën, por ne duhet ta respektojmë zgjedhjen e tij pasi ai ka të drejtë ekskluzive për këtë.

Ndeshjet miqësore duhet të shërbejnë për t’i njohur disa lojtarë, pasi lojtarë si Zhegrova, Rrahmani, Muriqi e Rashica ata janë lojtarë të dëshmuar që me siguri do t’i shfryëzoj në eliminatore, ndërsa miqësoret duhet të shfrytëzohen për lojtarët për të cilët ai nuk ka siguri të plotë nëse do jenë në eliminatore apo jo. Ndoshta është dashur që listës t’i shtohet sidomos Ermal Krasniqi që ka një formë të mirë në një kampionat si ai rumun dhe lojtarë të tjerë që po bëjnë mirë në ligat respektive si Qëndrim Zyba dhe Muhamet Hyseni, pasi thash se emrat që përmenda më lartë ata janë të dëshmuar dhe sigurisht se do jenë në eliminatore“, tha fillimisht Sejdiu për GazetaBlic Sport.

Tutje Sejdiu thotë se ka besim te Foda që mund të ketë sukses te Kosova pasi sipas tij ka një CV të mirë dhe përvojë të mirë në futboll.

“E kam shikuar CV-në e tij, me thënë të drejtën më ka pëlqyer. Duhet të dijmë se ne si kombëtare nuk e kemi luksin që të marrim trajnerë të mëdhenj me CV shumë të pasur, sepse jemi Kosova dhe emri i Kosovës nuk i josh trajnerët e mëdhenj, pastaj është pjesa financiare. Megjithatë mendoj që në këto mundësi që kemi është zgjedhje e duhur, pasi mendoj se ka përvojë të mjaftueshme që të arrijmë kualifikimin e dëshiruar tash e sa vite“, përfundoi Sejdiu për GazetaBlic Sport.

You may also like