Futbollistet e Kosovës gati për kualifikimet e Evropianit 2025

by admin
Spread the love

Futbollistet e Kombëtares së Kosovës këtë muaj do t’i luajnë dy ndeshje në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2025”.

Përzgjedhësja e Kosovës, Anneli Andersen të hënën ka publikuar listën e futbollisteve të ftuara për këtë dy përballje. Andersen ka ftuar 23 futbolliste për duelet me Ukrainën dhe Uellsin, që janë pjesë e grupit së bashku me Kroacinë.

“Dardanet” të hënën kanë udhëtuar në Turqi, ku premten do ta luajnë ndeshjen e parë kundër Ukrainës, në terren neutral. Ndërkohë, duelin me Uellsin, Kosova e luan më 9 prill në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Kualifikimet për “Euro 2025” zhvillohen në format të njëjtë me Ligën e Kombeve të UEFA-s. Kombëtaret evropiane janë të ndara në tri liga, përkatësisht në tri nivele. Kualifikimi direkt është i mundur vetëm prej Ligës A, ndërsa Kosova është në Grupin 4 të Ligës B ku tri të parët e kanë të sigurt kalimin në plejof.

Kosova në edicionin e parë të Ligës së Kombeve për futbolliste është promovuar në Ligën B nga Liga C, ndërsa është në seri të rezultateve pozitive.

Së fundmi ka humbur nga Sllovenia më 12 nëntor të vitit 2022. Prej atëherë ka 13 fitore e një barazim.

 

You may also like