Francës i shtohen milionerët, Macron nën sulm nga e majta – Shqip

by admin
Spread the love

Një raport i bankës zvicerane UBS, i cili e vendos Francën në podiumin e vendeve me më shumë milionerë, zemëroi zyrtarët e majtë që përsëritën kritikat e tyre ndaj Emmanuel Macron, “presidentit të të pasurve”.

“Raporti vjetor i pasurisë globale” i bankës zvicerane UBS i publikuar dje, të martën, numëronte në vitin 2022 më shumë se 2.8 milionë njerëz në Francë, pasuritë e paluajtshme dhe monetare të të cilëve kalojnë një milion dollarë. Një numër pak më i lartë se një vit më parë, pasi u regjistruan 25,000 milionerë shtesë.

Kështu, raporti i UBS e vendos Francën në vendin e tretë pas Shteteve të Bashkuara (22.7 milionë milionerë) dhe Kinës kontinentale (6.2 milionë) dhe përpara Japonisë (2.7 milionë), Gjermanisë (2.6 milionë) dhe Mbretërisë së Bashkuar (2.5 milionë).

Nga 400,000 në vitin 2000, milionerët francezë mund të kalojnë 4,000,000 në 2027, sipas raportit.

Me këtë tregues, opozita e majtë ka rinisur sulmet e saj ndaj Emmanuel Macron, të cilin e akuzon për përkeqësim të pabarazisë pasi erdhi në pushtet në vitin 2017. Presidenti francez kritikohet kryesisht për heqjen e taksës së pasurisë në fillim të mandatit të tij të parë.

“Milionerët francezë mund të thonë faleminderit për dhuratat fiskale të Macron,” komentoi Manon Aubry, kreu i grupit parlamentar të Francës së Pabindur (e majta radikale) në Parlamentin Evropian.

Kreu i Partisë Socialiste, Olivier Faure, nga ana e tij, u ndal në një tjetër element të raportit: 3890 “super të pasurit” francezë që kanë një pasuri prej më shumë se 50 milionë dollarësh. “Kush janë viktimat?” tha ai, duke i krahasuar këto pasuri të mëdha me 9 milionë banorët që jetojnë nën kufirin e varfërisë.

Ndërsa ambientalistja Sandrine Rousseau shkroi: “Historikisht forca e Francës ka qenë modeli i saj social, rezistent ndaj të gjitha krizave dhe nivelit të pabarazive, ndër më të ulëtat midis vendeve të pasura. E gjithë kjo është pas nesh. Këtu është amerikanizimi i Francës i imponuar në treg nga Emmanuel Macron”. /tesheshi.com/

You may also like