FRANCË – Fermerët protestues zgjerojnë bllokadat përpara takimit kyç me kryeministrin

by admin
Spread the love

PARIS, 22 janar /ATSH-DPA/ – Fermerët protestues kanë zgjeruar bllokadat e tyre në shumë pjesë të Francës përpara një takimi sot midis organizatave bujqësore dhe kryeministrit të ri francez, Gabriel Attal.

“Disa autostrada në jug të Francës u bllokuan pranë Toulouse”, njoftoi transmetuesi francez “France Info”.

Fermerët e kaluan natën në zonat e bllokadës në autostradën A64, ku një mur prej kashte u përfshi nga flakët.

“Rruga e hyrjes në centralin bërthamor në Golfech në Francën jugore u bllokua gjithashtu nga fermerët”, raportoi gazeta “La Dépêche du Midi”.

Në kufirin spanjoll pranë Perpignan, fermerët zaptuan një kabinë me pagesë në një autostradë.

Protesta u zhvilluan edhe në Alsace në kufirin gjermano-francez pranë Lauterbourg.

“Fermerët francezë iu bashkuan fermerëve gjermanë duke bllokuar urën në një rrugë fshati që lidh Gjermaninë me autostradën A35 në bregun e majtë të Rhein drejt Strasburgut”, raportoi gazeta rajonale “Les Dernières Nouvelles d’Alsace”.

Fermerët po përballen me probleme të shumta, duke përfshirë furnizimin me ujë të mjaftueshëm për fermat e tyre në rajone ku thatësira e vazhdueshme po bëhet gjithnjë e më shumë një barrë.

Fermerët francezë, ashtu si homologët e tyre gjermanë, po përballen gjithashtu me çmimin e naftës bujqësore, kostot e energjisë dhe problemet e të ardhurave në përgjithësi, si dhe rregulloret e tepërta.

Organizatat bujqësore kanë njoftuar se do të vazhdojnë protestat e tyre edhe këtë javë.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like