Fotot/ Protesta në të gjithë Pakistanin kundër rritjes absurde të faturave të energjisë elektrike

by admin
Spread the love

Çmimet e energjisë elektrike janë dyfishuar vitin e fundit duke thelluar krizën në Pakistan, ndërsa ato të karburanteve janë rritur me më shumë se 150 përqind.

Protestat kundër çmimeve absurde të energjisë janë zgjeruar kësaj jave në vend pasi qeveria ka refuzuar të ndërhyjë, pa marrë miratimin nga Fondi Monetar Ndërkommbëtar.

Rritja masive e çmimeve të energjisë elektrike ka bërë që njerëzit në protesta të djegin faturat e energjisë, të bllokojnë autostradat dhe të sulmojnë zyrat e kompanive elektrike.

Kryeministri Anwaar-ul-Haq Kakar thoshte se do të ketë një zbutje të krizës, por dje dhanë lajmin e keq se “nuk mund të bëjnë asgjë pa lejen e Fondit Monetar Ndërkombëtar” i cili ka kushte të ashpra për kredinë e fundit të lëvruar për vendin, pas përmbytjeve katastrofike të vitit të shkuar.

Grupi global huadhënës i ka vendosur kushte të vështira Pakistanit për të dhënë kredinë prej 3 miliardë dollarë, me qëllim ringjalljen e ekonomisë së shkatërruar të vendit.

Tashmë protestat kanë përfshirë të gjithë vendin përfshi dhe kryeqytetin Islamabad.

“Pas permbytjeve, tani po mbytemi në inflacion, këto fatura janë të papërballueshme për këdo. Nëse paguaj faturën këtë muaj nuk mund të ushqej tre fëmijët”, tha taksixhiu Noorul Amin.

Berberi Mohamed Karamat, tha se ka marrë një faturë energjie për të paguar prej 60,000 rupi pakistaneze (rreth $200) për muajin gusht, për të cilat thotë se nuk ka asnjë mundësi t’i paguajë.

Njerëzit në protesta mbanin pankarta kundër rritjes së çmimve të energjisë dhe inflacionit në qytetin e Hyderabad.

Tregtarë e dyqanxhinj mbanin në dorë faturat e energjisë në protestën e Quetta.

Protestuesit thonin se ata mezi arrijnë të paguajnë shpenzimet me rrogat e tyre kurse qeveria nuk po redukton çmimet por i rrit ato.