FOKUS – Zelensky nuk pranon statusin e shtetit neutral për Ukrainën

by admin
Spread the love

KIEV, 16 mars /ATSH-ANSA/ – Pas 21 ditësh luftë, sytë janë përqendruar tashmë te diplomacia, sidomos pas një hapjeje të brishtë për një kompromis nga ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, i cili kërkoi neutralitetin e Ukrainës.

Por, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e hodhi poshtë idenë e një modeli austriak ose suedez të neutralitetit dhe përsëriti se ”vendi i tij kërkon garanci të sigurisë absolute”.

Ndërkohë, në fushën e betejës, forcat ruse po intensifikojnë ofensivën në jug, me bombardime të forta nga deti në Mariupol dhe në zonën e Odesës.

Gjatë natës janë regjistruar shpërthime në periferi të Kievit, ku prej ditës së djeshme është në fuqi një shtetrrethim 36-orësh.

”Do të duhet pak kohë që bisedimet me Rusinë të përfundojnë në interes të Ukrainës”, deklaroi sot presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në një fjalim video.

“Takimet vazhdojnë. Siç e kuptoj unë, qëndrimet në negociata duken më realiste. Megjithatë, ka ende kohë që vendimet të jenë në interes të Ukrainës”, theksoi ai.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov sheh shpresë mbi një kompromis të mundshëm në negociatat midis Moskës dhe Kievit për t’i dhënë kështu fund luftës.

Lavrov i tha gazetës së përditshme ruse, RBK, se ai besonte se tashmë kishte qëndrime për të cilat palët “janë afër marrëveshjes”.

”Edhe pse bisedimet janë të vështira, ka njëfarë shprese për të arritur një kompromis”, shtoi ai./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like