FOKUS – UNICEF: Më shumë se 230 milionë femra në mbarë botën i kanë mbijetuar gjymtimit gjenital

by admin
Spread the love

NJU JORK, 8 mars /ATSH/ – Numri i të mbijetuarve të gjymtimit gjenital femëror tejkalon 230 milionë në mbarë botën, një rritje prej 15 për qind që nga viti 2016, deklaroi UNICEF në një raport të ri, shkruan lemonde.fr.

“Është vërtet një lajm i keq. Ky është një numër i madh … më i madh se kurrë më parë”, deklaroi  Claudia Coppa, autorja kryesore e raportit të publikuar për të përkuar me Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Gjymtimi gjenital femëror (FGM) mund të përfshijë heqjen e pjesshme ose totale të klitorisit dhe qepjen e hapjes vaginale për ta ngushtuar atë. Procedura mund të shkaktojë gjakderdhje fatale ose infeksione dhe të ketë pasoja afatgjata si probleme të fertilitetit, duke shkaktuar komplikime gjatë lindjes së fëmijës, lindje të vdekur dhe marrëdhënie seksuale të dhimbshme.

Sipas një studimi të 31 vendeve ku praktika është e zakonshme, Afrika është ‘’shtëpia’’ e numrit më të madh të të mbijetuarve të FGM, me më shumë se 144 milionë, përpara Azisë (80 milionë) dhe Lindjes së Mesme (6 milionë).

Rritja e përgjithshme është kryesisht për shkak të rritjes së popullsisë në disa vende, por raporti theksoi përparimin në uljen e përhapjes së saj në vende të tjera.

Në Sierra Leone, përqindja e vajzave të moshës 15 deri në 19 vjeç që i janë nënshtruar gjymtimit gjenital ka rënë nga 95% në 61% në 30 vjet.

Etiopia, Burkina Faso dhe Kenia gjithashtu shënuan rënie të konsiderueshme. Megjithatë, në Somali, 99% e grave midis moshës 15 dhe 49 vjeç kanë pësuar gjymtim gjenital, siç kanë bërë 95% në Guine, 90% në Xhibuti dhe 89% në Mali.

“Ne po shohim gjithashtu një prirje shqetësuese që gjithnjë e më shumë vajza po i nënshtrohen praktikës në moshë të re’’, theksoi në një deklaratë shefja e UNICEF-it Catherine Russell.  /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like