FOKUS – Ukraina: Koha për ndërmjetësim me Rusinë nuk ka ardhur ende

by admin
Spread the love

KIEV, 10 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Selia e Shenjtë mund të ketë një rol të rëndësishëm në ndërmjetësimin midis Ukrainës dhe Rusisë, por ky moment nuk ka ardhur ende, deklaroi ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.

”Kushdo që dëshiron të ndihmojë këtë proces, përfshirë Vatikanin, nuk mund të jetë neutral, nuk mund t’i vendosë të dy shtetet në të njëjtin nivel”, theksoi ai.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba flet pa doreza, ndërsa mirëpret në zyrën e tij një grup gazetarësh ndërkombëtarë pas një misioni të organizuar nga ambasada ukrainase në Selinë e Shenjtë.

”Nuk mund të këmbëngulet në konceptin e vëllazërisë, ne nuk jemi vëllezër, kjo është historia e Kainit dhe Abelit. Por, fjalët e fundit të Papës dhe mbi të gjitha emocioni i tij më 8 dhjetor arritën drejt e në zemrën e ukrainasve”, theksoi Kuleba.

Marrëdhëniet mes Kievit dhe Selisë së Shenjtë janë të vazhdueshme.

”Dhe dosjet për të cilat është angazhuar Selia e Shenjtë janë të ndryshme, nga gruri e deri te të burgosurit. Por, kushdo që dëshiron të ndihmojë Ukrainën nuk mund të jetë neutral”, shtoi ai.

”Qeveria jonë e shikon me sy të mirë për një rol të mundshëm të Selisë së Shenjtë në negociatat e ardhshme të paqes, por e vërteta e trishtueshme është se nuk ka ardhur ende koha për ndërmjetësim dhe arsyeja është presidenti Putin. Nëse doni paqe, mos dërgoni raketa çdo javë për të shkatërruar infrastrukturën tonë, mos vazhdoni të dërgoni ushtarë për të pushtuar qytetet tona, mos aneksoni territore që u përkasin të tjerëve”, tha Kuleba./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like