FOKUS – Udhëheqësit e Venezuelës dhe Guajanës takohen mes mosmarrëveshjeve kufitare

by admin
Spread the love

BERLIN, 10 dhjetor /ATSH-DPA/ – Udhëheqësit e Venezuelës dhe Guajanës fqinje kanë planifikuar të zhvillojnë një takim të enjten mes tensioneve për një mosmarrëveshje kufitare midis dy vendeve të Amerikës së Jugut.

“Presidenti i Venezuelës Nicolás Maduro dhe presidenti i Guajanës, Irfaan Ali do të takohen të enjten”, sipas Ralph Gonsalves, udhëheqësi i Shën Vincentit dhe Grenadineve, një vend ishull që do të jetë gjithashtu vendi i takimit.

Pika e mosmarrëveshjes është rajoni Esekuibo në Guajanën perëndimore. Venezuela ka pretenduar prej kohësh për zonën, e cila mbulon rreth dy të tretat e Guajanës.

Më 3 dhjetor, Maduro mbajti një referendum të diskutueshëm në Venezuelë, në të cilin, sipas shifrave zyrtare, 96% e venezuelianëve votuan në favor të aneksimit.

Pretendimet e Venezuelës datojnë në epokën koloniale të ish-Guianës Britanike, e cila fitoi pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 1966, dhe u nxitën më tej  që kur u zbuluan rezerva të mëdha nafte në brigjet në vitin 2015, falë të cilave ekonomia e Guajanës po lulëzon.

Gonsalves aktualisht mban presidencën e Komunitetit të Shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve (CELAC).//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like