FOKUS – SHBA i shet Greqisë 40 avionë luftarakë F-35

by admin
Spread the love

ATHINË, 27 janar /ATSH-ANA-AFP-DPA/ – Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis theksoi sot rëndësinë e thellimit strategjik të marrëdhënieve greko-amerikane, pas letrës që mori nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken për blerjen e 40 avionëve luftarakë F-35 të gjeneratës së pestë si dhe fregata, tanke dhe materiale të tjera mbrojtëse.

”Ky zhvillim justifikon diplomacinë aktive dhe të besueshme që po ndjekim kudo në vitet e fundit”, tha ai.

Mitsotakis tha gjithashtu se ”sot është një ditë shumë e rëndësishme për mbrojtjen kombëtare dhe për diplomacinë greke, sepse për shkak të letrës që mora nga sekretari i Shtetit, thellësia strategjike e marrëdhënieve greko-amerikane është evidentuar dhe vulosur. Ajo është rezultat i një përpjekjeje metodike, të heshtur dhe të gjatë që kombinoi qëndrueshmërinë e aleancës së Greqisë në frontet ndërkombëtare me promovimin e interesave të saj kombëtare”.

”Në një periudhë pasigurie, vendi ynë rikonfirmon se qëndron me seriozitet dhe pjekuri gjeopolitike në hartën ndërkombëtare, ndërsa në të njëjtën kohë u shërben të drejtave të tij kombëtare me mburojën e mbrojtjes së tij. Në rrugën e stabilitetit dhe paqes gjithmonë me krenari dhe besim kombëtar”, përfundoi ai.

Greqia kishte kërkuar prej kohësh të blinte avionë më të avancuar F-35 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pjesë e politikës së saj të mbrojtjes kundër Turqisë fqinje me të cilën shpesh ka marrëdhënie të tensionuara.

Athina e kishte kundërshtuar ashpër shitjen e mundshme të avionëve luftarakë amerikanë F-16 në Ankara për shkak të mosmarrëveshjeve territoriale që e kanë kundërshtuar prej kohësh me Turqinë në rajonin lindor të Mesdheut, të pasur me burime energjetike.

Qeveria amerikane ka finalizuar edhe shitjen e avionëve luftarakë F-16 Ankarasë, pas miratimit përfundimtar që Turqia dha për pranimin e Suedisë në NATO.

Kongresi në Uashington është informuar për marrëveshjen e planifikuar të armëve.

Ai nuk duhet të autorizojë marrëveshjen, por ka fuqinë ta bllokojë atë në rast dyshimi.

Megjithatë, kjo konsiderohet e pamundur tani që Turqia ka dhënë miratimin përfundimtar për anëtarësimin e Suedisë në NATO./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like