UASHINGTON, 10 shkurt /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA Joe Biden dhe kancelari gjerman Olaf Scholz paralajmëruan kundër çdo lehtësimi të mbështetjes perëndimore për Ukrainën, gjatë vizitës së liderit gjerman në Shtëpinë e Bardhë të premten.
Scholz tha se nëse Kongresi Amerikan nuk arrin të votojë në favor të financimit të mëtejshëm për Kievin, aftësia e forcave të armatosura ukrainase për të mbrojtur vendin e tyre kundër pushtimit rus do të kërcënohej.
”Mbështetja nga SHBA është thelbësore”, tha Scholz.
“Ne jemi të dy të bindur se kjo duhet të ndodhë, por gjithashtu kemi besim se Kongresi amerikan në fund do të marrë një vendim për të ofruar ndihmë”, tha ai pas bisedimeve me Biden, të cilat zgjatën rreth një orë e 45 minuta.
Biden, i cili është përpjekur për muaj të tërë për të marrë miliarda ndihma të reja përmes parlamentit, ka paralajmëruar se dështimi i Kongresit për ta miratuar atë do të ishte “afër neglizhencës kriminale”.
Përpara takimit, Scholz tha se financimi ishte thelbësor për t’i dërguar një mesazh të qartë presidentit rus Vladimir Putin për mbështetjen e fortë perëndimore.
Biden nga ana e tij lavdëroi Gjermaninë për mbështetjen e saj për Ukrainën.
“Ju keni bërë diçka që askush nuk mendonte se mund ta bënte. Ju keni dyfishuar ndihmën ushtarake të Gjermanisë për Ukrainën këtë vit. Dhe është vërtet e rëndësishme. Ne duhet të bëjmë pjesën tonë tani”, tha Biden përpara bisedimeve.
Takimi mes Scholzit dhe Bidenit ishte pjesa kryesore e një vizite të shkurtër 24-orëshe të Scholzit në kryeqytetin amerikan, udhëtimi i tij i tretë i tillë që kur Scholz u bë kancelar në 2021.
Republikanët në Kongresin e SHBA deri më tani kanë bllokuar paketa të mëtejshme ndihme për Ukrainën, ndërsa Scholz ka luftuar për të nxitur liderët e tjerë evropianë që të rrisin ndjeshëm fondet dhe dërgesat e armëve për ushtrinë e Ukrainës.
Përpjekjet lobuese të Scholz janë përqendruar veçanërisht në disa vende të mëdha dhe të pasura evropiane si Franca, Spanja dhe Italia.
Scholz dhe Biden diskutuan gjithashtu për samitin e ardhshëm të NATO-s në Uashington dhe luftën në Lindjen e Mesme.
Scholz këmbënguli se çdo veprim izraelit në Gaza duhet të jetë në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë, udhëheqësit diskutuan përpjekjet për të parandaluar përshkallëzimin rajonal dhe nënvizuan rëndësinë për të mbrojtur civilët në Gaza./ a.jor.