FOKUS – Scholz: Bisedimet bërthamore me Iranin janë në momentin e së vërtetës

by admin
Spread the love

MYNIH, 20 shkurt /ATSH-DPA/ – Irani nuk duhet të ndërpresë negociatat për të shpëtuar kështu marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, paralajmëroi kancelari gjerman, Olaf Scholz duke i bërë thirrje Teheranit të bëjë lëshime.

“Udhëheqja iraniane tani ka një zgjedhje sepse tani është momenti i së vërtetës”, tha Scholz në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

“Ne kemi bërë një rrugë të gjatë në negociatat në Vjenë në 10 muajt e fundit. Të gjithë elementët për përfundimin e negociatave janë në tryezë”, tha Scholz.

”Megjithatë, nëse Irani vazhdon të pasurojë uraniumin dhe në të njëjtën kohë pezullon monitorimin nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), kjo është e papranueshme”, theksoi ai.

“Një armë bërthamore iraniane është e papranueshme për ne. Gjithashtu sepse siguria e Izraelit nuk është e negociueshme”, tha kancelari.

“Tani kemi shansin për të arritur një marrëveshje që do të lejojë heqjen e sanksioneve”, tha Scholz, por paralajmëroi se “nëse nuk arrijmë ta bëjmë këtë shumë shpejt, atëherë negociatat rrezikojnë të dështojnë”.

Gjermania, Franca dhe Britania, së bashku me Rusinë dhe Kinën, kanë ndërmjetësuar mes Iranit dhe SHBA prej muajsh. Qëllimi është të heqë sanksionet ekonomike të SHBA-së dhe, në këmbim, të kufizojë përsëri programin bërthamor të Iranit.

Javët e ardhshme konsiderohen vendimtare nëse marrëveshja e vitit 2015 mund të ripërtërihet./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like