FOKUS – Rusia dhe Kina projekt për ndërtimin e një centrali bërthamor në Hënë

by admin
Spread the love

MOSKË, 5 mars /ATSH-DPA/- Rusia po shqyrton planin e ndërtimit të një centrali bërthamor në Hënë, së bashku me Kinën, tha sot kreu i agjencisë ruse të hapësirës “Roscosmos”, Yuri Borisov.

“Sot ne po shqyrtojmë seriozisht projektin e dorëzimit dhe ndërtimit të një centrali energjetik në sipërfaqen e Hënës, diku midis viteve 2033 dhe 2035 së bashku me kolegët tanë kinezë”, tha Borisov gjatë një aktiviteti për të rinjtë.

“Ndërtimi i centralit nuk do të bëhet me dorë por me makineri. Zgjidhjet teknike për këtë, tashmë ekzistojnë në praktikë”, tha ai.

Shefi i “Roscosmos” theksoi se Rusia nuk po kërkon të vendosë armë bërthamore në hapësirë.

“Rusia ka folur gjithmonë kundër kësaj dhe do të mbajë këtë qëndrim”, tha ai.

Kohët e fundit ka pasur spekulime në SHBA se Rusia kërkon të luftojë satelitët me një lloj të ri armësh bërthamore.

Presidenti rus Vladimir Putin e ka mohuar këtë, por kjo ide ka shfaqur shqetësime në SHBA.

Rusia dhe Kina nënshkruan një deklaratë qëllimi në vitin 2021 për të zgjeruar bashkëpunimin e tyre në hapësirë, në sfondin e rritjes së tensioneve midis Moskës dhe Perëndimit. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like