FOKUS – OBSH: Të shqetësuar për planin e Izraelit në Rafah

by admin
Spread the love

RAFAH, 17 mars /ATSH/ – Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha se është “shumë i shqetësuar” pasi zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha të premten se ai kishte miratuar planet për një ofensivë në Rafah, qyteti më jugor në Gaza, sipas CNN.

“Përshkallëzimi i mëtejshëm i dhunës në këtë zonë me popullsi të dendur do të çonte në shumë më tepër vdekje dhe vuajtje, veçanërisht me objektet shëndetësore tashmë të mbingarkuar”, shkroi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus në X.

Sipas zyrës së Netanyahut, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit “po përgatiten për anën operacionale dhe për evakuimin e popullsisë”.

Shtëpia e Bardhë thotë se nuk ka marrë asnjë plan, duke përfshirë mënyrën se si të sigurojnë rreth 1,4 milionë palestinezë të zhvendosur në qytet.

Shefi i OBSH-së tha se palestinezët në Rafah nuk kanë ndonjë vend të sigurt për t’u zhvendosur dhe nuk ka objekte shëndetësore plotësisht funksionale dhe të sigurta që ata mund të arrijnë diku tjetër në Gaza.

”Shumë njerëz janë shumë të brishtë, të uritur dhe të sëmurë për t’u zhvendosur përsëri”, tha ai.

“Në emër të njerëzimit, i bëjmë thirrje Izraelit të mos vazhdojë dhe në vend të kësaj të punojë drejt paqes. Kjo katastrofë humanitare nuk duhet të lejohet të përkeqësohet”, shtoi ai./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like