FOKUS – Një shpërthim pranë anijes greke të mallrave në brigjet e Jemenit

by admin
Spread the love

ATHINË, 6 shkurt /ATSH-DPA/ – Një shpërthim ndodhi sot pranë një anijeje tregtare në pronësi greke, ndërsa anija udhëtonte përmes Detit të Kuq, njoftoi roja bregdetare greke.

“Shpërthimi ndodhi kur anija ishte rreth 90 kilometra nga qyteti port i Jemenit, Aden. Asnjë nga anëtarët e ekuipazhit, të cilët të gjithë vijnë nga Filipinet, nuk u plagos”, tha roja bregdetare.

Anija, e cila mbante flamurin e Ishujve Marshall, vazhdoi rrugën e saj.

Operacionet e Tregtisë Detare të Britanisë së Madhe të ushtrisë britanike gjithashtu raportuan incidentin dhe u bënë thirrje anijeve në rajon që të kenë kujdes.

“Nuk kemi ende detaje. Mund të ketë qenë një minë detare”, tha një zëdhënëse e rojes bregdetare greke. Media greke tha se anija quhet “Star Nasia”.

Milicia Houthi e mbështetur nga Irani në Jemen ka sulmuar vazhdimisht anijet me një lidhje të dyshuar izraelite që nga fillimi i luftës së Gazës midis Izraelit dhe Hamasit.

SHBA-ja dhe Britania e Madhe janë përgjigjur me një seri sulmesh ndaj objektivave Houthi në Jemen.

Autoritetet në Londër thanë se sulmet ushtarake kanë dobësuar grupin Houthi, por aftësia e tyre për të vazhduar sulmin e anijeve nuk është zhdukur plotësisht.

Kompanitë e mëdha të transportit detar tani po e shmangin gjithnjë e më shumë rrugën, e cila normalisht përbën rreth 10% të tregtisë globale. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like