FOKUS – NATO dhe BE dënojnë planet e reja gjeorgjiane për ligjin e ‘agjentëve të huaj’

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 5 prill /ATSH-DPA/ – Bashkimi Evropian dhe NATO dënuan vendimin e vendit partner të NATO-s, Gjeorgjisë, për të rifutur legjislacionin që synon të frenojë organizatat joqeveritare të financuara nga jashtë, pasi një përpjekje e ngjashme dështoi vitin e kaluar përballë protestave masive.

Projektligji i diskutueshëm, i ngjashëm me legjislacionin në fuqi në Rusi, do t’u kërkonte organizatave që marrin fonde të huaja të regjistrohen si “agjentë të huaj”.

“Unë kundërshtoj çdo përpjekje të qeverisë gjeorgjiane për të rifutur projektligjin për agjentët e huaj ose ndikimin e huaj”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në përgjigje të një pyetjeje pas takimeve të ministrave të Jashtëm në Bruksel.

Stoltenberg tha se planet do të “kundërshtonin të gjithë përpjekjen për forcimin e institucioneve demokratike në Gjeorgji”.

Ai shtoi se “Gjeorgjia duhet të punojë në reforma për t’iu afruar NATO-s dhe për t’iu afruar Bashkimit Evropian”.

Propozimi i projektligjit u tërhoq zyrtarisht në mars 2023 pas protestave masive.

Kundërshtarët argumentojnë se miratimi i ligjit do të minonte demokracinë e Gjeorgjisë dhe do të zbehte shanset e vendit për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, i cili e ka kritikuar ligjin.

Partia në pushtet ”Ëndrra Gjeorgjiane” njoftoi të mërkurën synimin e saj për të riparaqitur draftin në parlament.

”Populli gjeorgjian e ka bërë të qartë se dëshiron një të ardhme të begatë demokratike brenda familjes evropiane dhe euroatlantike. Pra, çdo ligj që prezantoi këtë ide të agjentit të huaj… do të minojë të gjithë idenë për ta bërë Gjeorgjinë një shoqëri më të fortë demokratike”, tha Stoltenberg.

Më herët, një zëdhënës i diplomatit të lartë të BE-së Josep Borrell tha se bllokut “i vjen keq që po shqyrtohet edhe një herë, pavarësisht reagimeve të forta publike dhe ndërkombëtare në mars 2023”.

Deklarata theksoi gjithashtu se Këshilli Evropian i dha Gjeorgjisë statusin e kandidatit me mirëkuptimin se Tbilisi do të ndërmerrte hapa duke përfshirë sigurimin që shoqëria civile të mund të funksionojë lirshëm dhe të luftojë “dezinformimin kundër BE-së dhe vlerave të saj”.

”Ne nxisim liderët politikë në Gjeorgji që të miratojnë dhe zbatojnë reforma që janë në përputhje me objektivin e deklaruar për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, siç mbështetet nga një shumicë e madhe e qytetarëve të Gjeorgjisë”, shton deklarata./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like