FOKUS – Ministrat e Energjisë së BE-së bien dakord për kufirin e çmimit të gazit me shumicë

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 19 dhjetor /ATSH-DPA/ – Ministrat e Energjisë së Bashkimit Evropian kanë rënë dakord të kufizojnë çmimin e shitjes me shumicë të gazit në kushte të caktuara, sipas një zëdhënësi të Këshillit të BE-së.

Kompromisi i arritur të hënën përcakton që çmimi i shitjes me shumicë të gazit për disa kontrata të së ardhmes që tregtohen në qendrën standarde tregtare holandeze Title Transfer Facility (TTF) nuk do të kalojë 180 euro (190.50 dollarë) për megavat-orë në kushte të caktuara.

Marrëveshja i jep fund një grindjeje disamujore mbi mënyrën se si të merren me çmimet e larta të energjisë në BE.

Pasi çmimet e shitjes me shumicë të gazit arritën kulmin në gusht, disa vende të BE-së kërkuan masa të gjera, ndërsa disa, përfshirë Gjermaninë, mbetën skeptike për ndërhyrjen në çmimin e gazit.

Gjermania e mbështeti përfundimisht marrëveshjen, e cila pritet të përfshijë disa masa mbrojtëse për të garantuar sigurinë e furnizimit dhe stabilitetin e tregjeve financiare.

Berlini ishte në rrezik të mbivotimit pasi udhëheqësit e BE-së kërkuan që mosmarrëveshja të përfundonte të hënën.

Kompromisi bazohet në një propozim të Komisionit Evropian, i cili fillimisht u prit me kritika nga shumë vende anëtare, sepse kushtet e propozuara nga komisioni për të shkaktuar kufirin u konsideruan shumë të rrepta. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like