FOKUS – Macron: Twitter angazhohet për luftë kundër përmbajtjeve ekstremiste

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

UASHINGTON, 3 dhjetor /ATSH-DPA/ – Platforma e medias sociale Twitter do të angazhohet për eliminimin e përmbajtjeve terroriste dhe ekstremiste në internet, tha presidenti francez Emmanuel Macron.

Macron u takua me pronarin e ri të Twitter, Elon Musk, në një vizitë në SHBA dhe pati një takim dhe një diskutim të qartë dhe të ndershëm, sipas vetë presidentit francez.

Macron tha se ”Elon Musk konfirmoi pjesëmarrjen e Twitter në iniciativën Christchurch Call të nisur pas sulmeve terroriste në Zelandën e Re.

“Nuk ka vend për përmbajtje terroriste dhe të dhunshme ekstremiste askund”, tha Macron.

Macron dhe Musk folën gjithashtu për ”politikat transparente të përdoruesve, përforcimin e konsiderueshëm të moderimit të përmbajtjes dhe mbrojtjen e lirisë së fjalës”.

”Duhet të bëhen përpjekje nga Twitter për t’iu përmbajtur rregulloreve evropiane”, shtoi ai.

Që nga marrja e Twitterit nga Musk, ka pasur shqetësime të përhapura se më shumë gjuhë urrejtjeje dhe abuzime mund të përfundojnë në platformën nën udhëheqjen e tij dhe pas shkurtimeve të mëdha të vendeve të punës që ai zbatoi.

Musk kishte ngritur vetë shqetësime të tilla me kritika të përsëritura se Twitter kishte kufizuar shumë lirinë e fjalës në platformë.

E nisur nga Macron dhe kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern në vitin 2019, iniciativa ”Christchurch Call” pa liderët botërorë të bashkohen me kompanitë e teknologjisë, përfshirë Facebook, YouTube dhe Google për të trajtuar përmbajtjen terroriste dhe ekstremiste në internet.

Nisma mban emrin e qytetit të Zelandës së Re, ku një person i armatosur vrau 51 persona në sulmet në dy xhami në vitin 2019.

Ai transmetoi drejtpërdrejt sulmet në Facebook për 17 minuta përpara se kompania e medias sociale të hiqte transmetimin./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like