FOKUS – Japonia autorizon testin e gjakut për Alzheimerin

by admin
Spread the love

TOKIO, 22 dhjetor /ATSH-AFP/ – Japonia ka autorizuar një test të thjeshtë gjaku për diagnostikimin e sëmundjes së Alzheimerit, njoftoi sot kompania “Sysmex Corporation.

“Sysmex Corporation” tha në një deklaratë se tani synon të lançojë sa më shpejt të jetë e mundur, mjetin e saj diagnostikues minimalisht invaziv, në tregun japonez.

Sipas kompanisë, në më shumë se një çerek ore, mund të matet niveli i akumulimit të proteinës beta-amiloide në gjak, një nga bioshënjuesit kryesorë të sëmundjes Alzheimer.

Metoda të tjera janë tashmë të disponueshme për diagnostikimin e kësaj patologjie, por ato janë përgjithësisht të kushtueshme ose invazive, ndërkohë që është thelbësore që Alzheimer të zbulohet sa më shpejt që të jetë e mundur, për të ngadalësuar progresin e sëmundjes.

Sëmundja e Alzheimerit mbetet e pashërueshme edhe sot e kësaj dite, por në nëntor, disa të dhëna klinike konfirmuan potencialin e një ilaçi të ri, lecanemab, për të ngadalësuar ndjeshëm uljen e aftësive njohëse te pacientët e trajtuar për 18 muaj.

“Mbi 55 milionë persona në mbarë botën vuajnë nga demenca, një numër që pritet të rritet në 130 milionë deri në vitin 2050 me rritjen e jetëgjatësisë”, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Demenca është një problem i madh i shëndetit publik në Japoni, vendi më i moshuar në botë (29,1% e banorëve të saj janë të moshës mbi 65 vjeç në 2022, një rekord i ri)./ /a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like