FOKUS – Gjermania kërkon reduktimin e varësisë nga ekonomia kineze

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

BERLIN, 11 nëntor /ATSH-DPA/ – Qeveria gjermane po planifikon rritjen e investimeve të huaja gjermane në tregjet jashtë Kinës në mënyrë që të reduktojë varësinë nga ekonomia e dytë më e madhe në botë.

“Pas propozimit të ministrit të Ekonomisë Robert Habeck, koalicioni qeverisës nën drejtimin e kancelarit Olaf Scholz ra dakord për rishikimin e mekanizmit të të ashtuquajturave garanci investimi”, sipas burimeve.

Garancitë e investimeve nga qeveria lejojnë kompanitë gjermane të sigurojnë investimet e tyre në vendet në zhvillim dhe kundër rreziqeve politike, të tilla si shpronësimi ose kufizimet e kapitalit dhe transferimit.

Habeck pritet të vizitojë sot Singaporin për të marrë pjesë në një konferencë për biznesin gjerman.

Konferenca e industrisë gjermane Azi-Paqësor, më 13-14 nëntor, do të fokusohet në zgjerimin e rrugëve të furnizimit. Varësia gjermane nga karburantet fosile ruse ka shkaktuar një debat të gjerë për reduktimin e varësive ekonomike nga Kina.

Gjithashtu në konference do të marrë pjesë kancelari Scholz.

Rishikimi i mekanizmit do t’u siguronte bizneseve gjermane një mbështetje më të madhe në hapjen e tregjeve të reja në të ardhmen dhe do të krijonte një nxitje për diversifikim.

“Kompanitë gjermane do të merrnin ndihmë më efektive për të zbatuar projekte në vende që nuk kanë qenë në fokus të aktivitetit ekonomik deri më tani, por që ofrojnë një potencial të madh”, sipas burimeve. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like