FOKUS – Gaza po përballet me urinë gjatë Ramazanit

by admin
Spread the love

GAZA, 19 mars /ATSH/ – Kur zbardhi mëngjesi i së hënës së kaluar, që sinjalizoi fillimin e Ramazanit, ai solli me vete edhe një ironi mizore për banorët e Gazës, sipas BBC.

Muaji i shenjtë kur myslimanët agjërojnë gjatë ditës kishte mbërritur në mes të një zie buke.

Banorët kanë duruar tashmë prej pesë muaj luftë.

Pothuajse e gjithë popullsia është e varur nga ndihma ushqimore për të mbijetuar.

“Njerëzit këtu kanë agjëruar për muaj të tërë”, tha Amjad Eleiwa, zëvendësdrejtor i departamentit të urgjencës në spitalin ”Al-Shifa”.

“Ata pastrojnë qytetin duke kërkuar ushqim për të mbijetuar, por nuk mund të gjejnë”, shton ai.

Bombardimi i Gazës nga Izraeli, në përgjigje të sulmeve të Hamasit të 7 tetorit, ka shkatërruar infrastrukturën ushqimore dhe tokat bujqësore në të gjithë territorin.

Agjencitë e ndihmave thonë se kontrollet e shtuara të sigurisë izraelite në kamionët e dërgesave kanë krijuar pengesa rreth ndihmave që arrijnë te popullata.

Organi global përgjegjës për shpalljen e urisë, Klasifikimi i Integruar i Fazës së Sigurisë Ushqimore (IPC), raportoi këtë të hënë se 1,1 milion njerëz – pothuajse gjysma e popullsisë së Gazës – tashmë po vuan nga uria dhe pjesa tjetër e njerëzve atje mund të kishte zi buke deri në korrik.

Kriza e ushqimit është më akute në Gazën Veriore.

Dekorimet e rrugëve dhe tezgat e ngarkuara me ëmbëlsira janë zëvendësuar nga shkatërrimi, vdekja dhe një luftë e përditshme për të gjetur ushqim.

Çmimet për atë pak miell ose grurë janë në dispozicion janë pesëfishuar.

“Më kujtohet Ramazani i fundit, kishte ushqim të mirë – lëngje, hurma, qumësht, gjithçka që mund të dëshironim”, tha Nadia Abu Nahel, një nënë 57-vjeçare që kujdeset për një familje të madhe prej 10 fëmijëve në qytetin e Gazës.

”Krahasuar me këtë vit, është si parajsa dhe ferri”, tha ajo.

“Fëmijët tani dëshirojnë një copë bukë, është një vakt që ata ëndërrojnë. Kockat e tyre po bëhen më të buta. Ata janë të trullosur, kanë vështirësi të ecin. Janë duke u dobësuar shumë”, shton Nadia.

Sipas shoqatës bamirëse ”Care”, të paktën 27 njerëz – 23 prej tyre fëmijë – kanë vdekur nga kequshqyerja ose dehidratimi në veri të Gazës në javët e fundit.

Numri real, sipas mjekëve nga disa spitale veriore, ka të ngjarë të jetë më i lartë./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like