FOKUS – FMN ul sërish rritjen globale, ndërsa ”stuhia” ekonomike po afron

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 11 tetor /ATSH -DPA/ – Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) uli parashikimin e tij të rritjes globale për vitin e ardhshëm në 2.7%, duke përmendur efektet e inflacionit, luftës dhe pandemisë.

Udhëzimi i ri për vitin 2023 është 0,2 pikë përqindje më i ulët se parashikimi i mëparshëm i institucionit financiar ndërkombëtar në korrik.

FMN-ja theksoi se pasiguria e parashikimeve ekonomike u përforcua nga rreziqet gjeopolitike, mjedisi i rritjes së normave të interesit dhe goditjet e pandemisë Covid-19.

Rritja e mëtejshme e dollarit amerikan mund të përkeqësojë gjithashtu një ngadalësim global.

“Ndërsa retë e stuhisë krijohen, politikëbërësit duhet të mbajnë një dorë të qëndrueshme,” tha në një deklaratë shefi i ekonomisë së FMN-së, Pierre-Olivier Gourinchas, duke përshkruar perspektivat e zymta për vitin e ardhshëm.

“Presionet në rritje të çmimeve mbeten kërcënimi më i menjëhershëm për prosperitetin aktual dhe të ardhshëm, duke shtrydhur të ardhurat reale dhe duke minuar stabilitetin makroekonomik.”

FMN ka paralajmëruar se më shumë se një e treta e ekonomisë globale do të tkurret në vitin 2023. Në tre ekonomitë më të mëdha – Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Kinë – rritja do të ngecë.

Në eurozonë, produkti i brendshëm bruto pritet të rritet me vetëm 0.5% gjatë vitit të ardhshëm, një ulje e ndjeshme nga parashikimi i mëparshëm. Ekonomitë evropiane janë prekur veçanërisht nga rritja e çmimeve dhe kriza e energjisë për shkak të luftës në Ukrainë.   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like