FOKUS – FDA miraton ilaçin që ngadalëson Alzheimerin

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 8 janar /ATSH-AA/ – Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar një ilaç të ri që duket se ngadalëson sëmundjen e Alzheimerit.

FDA njoftoi se ilaçi, i quajtur Leqembi, do t’u jepet pacientëve me faza të lehta ose të hershme të sëmundjes.

Ilaçi, i miratuar nga FDA për përdorim, është i pari i këtij lloji që ka shfaqur shenja të ngadalësimit të përkeqësimit të kujtesës dhe të të menduarit.

Por, ekspertët mendojnë se vonimi i përkeqësimit kognitiv zgjat vetëm disa muaj.

“Ky ilaç nuk është një kurë. Ai nuk parandalon përkeqësimin e gjendjes së pacientit, por thjesht ngadalëson në mënyrë të matshme përparimin e sëmundjes”, tha për NBC neurologu Joy Snider nga Universiteti i Uashingtonit.

Nga ana tjetër, ekspertët tërheqin vëmendjen për efektet anësore që ilaçi mund të shkaktojë, si edema cerebrale ose paraqitja e nevojës për trajtim me infuzion dy herë në muaj.

Siç njoftohet, trajtimi njëvjeçar i Alzheimerit me Leqembi, i prodhuar nga firma japoneze ”Eisai” dhe partneri amerikan ”Biogen”, do të kushtojë afërsisht 26 500 dollarë.

Vlerësohet se në SHBA ka gjashtë milionë pacientë me Alzheimer./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like