FOKUS – Biden mbledh G7-n pas sulmit të Iranit

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 14 prill /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA Joe Biden ka dënuar sulmet iraniane ndaj Izraelit dhe ka premtuar një përgjigje të koordinuar diplomatike të G7.

“I dënoj këto sulme në termat më të fortë të mundshëm”, tha Biden në një deklaratë.

Ai tha se kishte folur me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për të “riafirmuar angazhimin e hekurt të Amerikës për sigurinë e Izraelit”.

“I thashë atij se Izraeli demonstroi një kapacitet të jashtëzakonshëm për të mbrojtur dhe mposhtur edhe sulme të paprecedentë – duke u dërguar një mesazh të qartë armiqve të tij se ata nuk mund të kërcënojnë efektivisht sigurinë e Izraelit”, deklaroi Biden.

”Udhëheqësit e G7 do të takohen për të koordinuar një përgjigje të bashkuar diplomatike ndaj sulmit të pacipë të Iranit”, tha Biden.

“Dhe ndërsa nuk kemi parë sulme ndaj forcave apo objekteve tona sot, ne do të mbetemi vigjilentë ndaj të gjitha kërcënimeve dhe nuk do të hezitojmë të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të mbrojtur njerëzit tanë”, theksoi ai.

Sipas ushtrisë izraelite, rreth 200 dronë dhe raketa u qëlluan gjatë sulmit.

”Ushtria amerikane e kishte ndihmuar Izraelin të rrëzonte pothuajse të gjithë dronët dhe raketat në hyrje”, tha Biden.

Grupi G7 i kombeve të industrializuara demokratike përbëhet nga Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia, Japonia, Kanadaja dhe SHBA./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like