FOKUS – Biberonat modernë të fëmijëve!

by admin
Spread the love

ROMË, 20 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Tabletat dhe celularët janë biberoni i ri për të vegjlit dhe, në fakt, prindërit e stresuar shpesh ua japin atyre për t’i mbajtur të qetë.

Kjo u zbulua nga një studim i ri, i botuar në revistën ”Computers in Human Behavior”, i cili analizoi marrëdhënien midis stresit prindëror dhe kohës së kaluar në ekran nga fëmijët.

Në studim morën pjesë 462 prindër me fëmijë të moshës deri në 36 muaj.

Prindërit raportuan vetë nivelet e tyre të stresit, qëndrimet ndaj përdorimit të mediave nga fëmijët e tyre (tableta, iPad, telefona inteligjentë e tjerë), si dhe kohën që fëmijët e tyre kaluan para një ekrani.

Rezultatet zbuluan se nivelet e stresit të prindërimit dhe qëndrimet prindërore ishin të dyja të lidhura me kohën para ekranit të fëmijëve.

Në fakt, prindërit me qëndrime pozitive ndaj përdorimit të medias nga fëmijët prireshin t’i inkurajonin fëmijët e tyre të përdornin ekranet, mesatarisht 17,5 minuta kur përjetonin nivele të ulëta stresi dhe 28 minuta kur përballeshin me nivele të larta stresi; ndërsa prindërit me qëndrim negativ prireshin të vendosnin rregulla për të kufizuar përdorimin e ekraneve (duke lejuar 9,5 minuta kohë para ekranit në situata me stres të ulët dhe rreth 10 minuta në momente me stres të lartë).

Për më tepër, prindërit mund të përdorin median e ekranit si një mekanizëm përballues për stresin e lidhur me prindërimin.

Kjo mund të jetë për shkak të mungesës së strategjive alternative për përballimin e momenteve të stresit, të tilla si shprehja e ndjenjave dhe marrja e kohës për veten.

”Ne zbuluam se qëndrimet pozitive të prindërve ndaj përdorimit të ekraneve në fëmijërinë e hershme forcojnë pjesërisht marrëdhënien midis stresit prindëror dhe kohës që fëmijët kalojnë para ekranit”, shpjegon autorja kryesore Valérie Brauchli, nga Universiteti i Zyrihut.

Me fjalë të tjera, përdorimi i tabletave dhe telefonave inteligjentë mund të shërbejë si një mjet për tejkalimin e stresit që lidhet me prindërimin.

”Rezultatet janë të rëndësishme nëse marrim parasysh se koha e kaluar para ekranit mund të shoqërohet me një rrezik të aftësive më të ulëta njohëse, socio-emocionale dhe/ose motorike, edhe nëse rreziku aktual varet nga një sërë variablash individualë dhe kontekstualë, të hulumtohen në studimet e ardhshme”, përfundon ajo./ a.jor.

The post FOKUS – Biberonat modernë të fëmijëve! appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

You may also like