FOKUS – Aleanca e Melonit shënon fitore në Italinë e Jugut

by admin
Spread the love

ROMË, 23 prill /ATSH-DPA/- Aleanca e krahut të djathtë të kryeministres italiane, Giorgia Meloni ka shënuar një fitore në zgjedhjet rajonale që shihen si një barometër i opinionit kombëtar përpara zgjedhjeve evropiane në qershor.

Në Bazilikata në Italinë jugore, kandidati i qendrës së djathtë, Vito Bardi u rizgjodh si president rajonal me 56,6% të votave, krahasuar me kundërshtarin e tij nga qendra e majtë, Piero Marrese, me 42,1%.

Bardi, ka qenë në pushtet në Bazilikata që nga viti 2019.

Me 49,8%, pjesëmarrja e votuesve në Bazilikata ishte më e ulët se në zgjedhjet e vitit 2019. Rreth 540,000 banorë jetojnë në rajon.

Që nga tetori 2022, “Fratelli d’Italia” (Vëllezërit e Italisë) ultra të djathtë nën drejtimin e Meloni kanë qeverisur në nivel kombëtar së bashku me partinë populiste të krahut të djathtë “Lega” të Matteo Salvinit dhe partinë konservatore “Forza Italia”.

Katërmbëdhjetë nga 20 rajonet e Italisë kanë qeveri të qendrës së djathtë.

Zgjedhjet në Bazilikata u panë si një test i opinionit publik përpara zgjedhjeve evropiane të qershorit.

Në sondazhet e fundit kombëtare, “Fratelli” i Meloni u rendit në vendin e parë me 28,5%.

Ata pasohen nga Socialdemokratët (PD) e kreut të opozitës Elly Schlein me 21,2% dhe “Lëvizja Pesë Yjet” e ish-kryeministrit Giuseppe Conte me 15,9%.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like