Fjalori dygjuhësh më i ri i shqipes

by admin
Spread the love
Xhevat Lloshi

Fjalori i Rexhep Zllatkut është një sukses për leksikografinë shqipe. Vlerat e tij vijnë edhe për një arsye tjetër thelbësore. Ky autor ka një përvojë të gjatë pune me gjuhën shqipe. Për mendimin tim, hartuesit e fjalorëve ndeshen me pasurinë më të gjerë të gjuhës, e cila mishëron përvojën historike dhe kulturore të një populli gjatë shekujve.

Shkruan: Xhevat LLOSHI, Tiranë

Është e natyrshme që fjalorët dygjuhësh për shqipen janë hartuar me gjuhët e popujve fqinjë. I pari ka qenë Fjalori i Frang Bardhit (1635), i cili është latinisht-shqip, por ka edhe fjalë të italishtes e të turqishtes. Vetëm afër 60 vjet më pas Julie Balovići i Malit të Zi më 1693 ka lënë dorëshkrim një fjalorth italisht-kroatisht-greqisht-shqip-turqisht, me 488 fjalë për kroatishten dhe 198 fjalë për shqipen. Më duhet të jap një shpjegim këtu. Deri në fund të shekullit XX ne kemi pranuar të flasim për gjuhën serbo-kroate, pastaj pavarësisht prej nesh tashmë janë bërë dy gjuhë: serbishtja e kroatishtja, prandaj dallimi do të mos nënkuptohet deri në shekullin e tanishëm. Do të kalonin 80 vjet, që Gjorgje Pulevski nga Maqedonia të nxirrte një fjalor në katër gjuhë, domethënë serbisht, shqip, turqisht dhe greqisht më 1873 dhe një tjetër në tri gjuhë, domethënë serbisht, shqip dhe turqisht, me alfabetin cirilik, por cilësia e shqipes është aq e dobët, sa nuk e vlen të flitet për të.

Rrjedhimisht, për një fjalor të mirëfilltë serbisht-shqip mund të flitet më 1902 me autor Lubomir Kujunxhiqin nga Gjakova, ndërsa Hilmi Agani ka vërtetuar se treva e shqipes së tij ka qenë ajo e Rahovecit. Anasjelltas, i pari fjalor i mirëfilltë shqip-serbokroatisht mund të quhet ai i Luk Lukajt, i vitit 1935, por ishte vetëm deri te shkronja Gj. Megjithatë ka tërhequr vëmendjen e gjuhëtarit të njohur Petar Skok, i cili bëri një recension për të në një revistë gjuhësore ndërkombëtare.

I vjen radha Fjalorit serbokroatisht-shqip, të botuar në Tiranë më 1947. Ky është i pari fjalori i serbishtes, i botuar në Shqipëri dhe vetëkuptohet, që mund të lidhet politikisht me periudhën e marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë menjëherë pas Luftës II Botërore. Por unë dëshiroj të vë në dukje disa anë të tjera më të rëndësishme për leksikografinë shqiptare. Po e quaj të serbishtes, sepse është me alfabetin cirilik. Ai është i pari fjalor në historinë e leksikografisë sonë, që është botuar nga një institucion dhe jo individualisht nga një autor. “Instituti i Studimeve” u themelua më 1946 dhe nga viti 1948 deri më 1957 u quajt Instituti i Shkencave. Me ngritjen e Universitetit të Tiranës ai u përfshi aty, ndërsa më 1972 u shndërrua në Akademinë e Shkencave, në një sallë të së cilës ne po paraqesim fjalorin më të ri dygjuhësh me autor Rexhep Zllatkun. Nuk mund të mos e përmend, që ndër pesë autorët e librit të vitit 1947 janë edhe emrat e Pashko Gecit, Mark Ndojës dhe Aleks Budës, ndërsa ndër redaktorët ishin edhe Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipoja dhe Eqrem Çabeu. Më 1954 Kostaq Cipon dhe Eqrem Çabeun do t’i shohim ndër autorët e të parit fjalor shpjegues të gjuhës shqipe, të botuar sërish nga Instituti i Shkencave. Kështu shpjegohet cilësia e re e një fjalori dygjuhësh të shqipes në atë kohë. Përkthimet shqip janë në variantin letrar, që më pas evoluoi si shqipja standarde. Po marr vetëm një fjalë: serbisht ‘mah’ është përkthyer ‘hov, vrull, të shtyrë, e shtyme’ dhe fjalës së fundit i është shtuar në kllapa (g) për ‘gegërisht’. Njëkohësisht për bashkëtingëlloret e zëshme në fund të fjalëve, të cilat shkruheshin toskërisht si të shurdhëta, që në Parathënie thuhet se janë pranuar të zëshme si në gegërishten, domethënë ashtu siç i kemi edhe sot. Është e qartë, që ai fjalor është përpunuar përpara vitit 1947, prandaj zgjedhja e trajtës së fjalëve shqipe është bërë sipas një koncepti të paktën që më 1945. Ky është një fakt i lënë mënjanë sot në diskutimet rreth shqipes standarde, por përballë tij bien poshtë shumë pohime në kundërshtim me të vërtetat historike.

Viti 1954 është një nga pikat që shënojnë epokat e leksikografisë shqiptare. Këto pika janë: Fjalori i F. Bardhit më 1653, Fjalori i K. Kristoforidhit botuar më 1904, Fjalori i Gjuhës Shqipe më 1954 dhe Fjalori i gjuhës së sotme shqipe më 1980. Pas Fjalorit të gjuhës shqipe do të ndryshonin mjaft edhe fjalorët dygjuhësh. Vendin e parë e zë Fjalori rusisht-shqip i po atij viti, po nga ai Institut, me autorin kryesor Sejfulla Malëshovën. Dëshiroj të vë në dukje dy tipare me rëndësi në veprat e mëpastajme. Së pari, pasuria e leksikut të shqipes, pavarësisht nga përmasat jo të gjera të kohës, tashmë kishte dalë në dukje dhe me përcaktime të sakta, të përpunuara, jo sipas përvojës së një autori si individ. Së dyti, fjalorët gjuhë e huaj – shqip më me cilësi i kanë bërë autorët shqiptarë. Nuk dëshiroj aspak ta ul vlerën e punës së autorëve të huaj, por ky është një fakt, i cili anasjelltas nënkupton që fjalorët shqip-gjuhë e huaj i bëjnë mirë autorët e huaj.

Si pasojë e prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë, më pas nuk janë botuar në Tiranë fjalorë të shqipes me serbishten. Por shqiptarët ishin në trojet e tyre edhe përtej kufijve politikë të Shqipërisë. Kështu, më 1950 doli Fjalori serbisht ose kroatisht dhe i shqipes i Henri Bariqit. Nuk do të hyj në konsiderata për punën si albanolog të H. Bariqit, ndërsa do të vë në pah, që për fjalorin e tij shkruan I. Ajeti më 1951 dhe S. Riza më 1953. Parathënien e Bariqit S. Riza e ka quajtur ‘ezberllëk të vjetruem’, ndërsa lëndën e fjalorit “të pashembulltin mishmash gjuhësuer.” Besoj që është e qartë, se Bariqi sigurisht nuk do t’ia dilte mbanë pa përparimin e leksikografisë shqipe, por siç e thashë, një i huaj sidoqoftë ka vështirësi të ndjeshme të bëjë një fjalor gjuhë e huaj – shqip.

Për shqiptarët në gjendjen e trysnisë së serbishtes nën sundimin jugosllav dilte nevoja praktike e fjalorëve me atë gjuhë. I pari i këtij tipi është Fjaluer serbokroatisht-shqip i Sokol Dobroshit, botuar në Prishtinë më 1953. Jemi përsëri më përpara hapit shkencor që do të bënte leksikografia shqipe. Një dhjetëvjeçar më vonë Pashko Geci, emrim e të cilit e përmenda të parin për Fjalorin e vitit 1947, ka shkruar më 1964 një recension. Ai vëren, se Fjalori i Dobroshit me rreth 40.000 fjalë “vende-vende ka dalë me vlerë leksikografike mjaft të pabarabartë.”, si dhe ka përkthime të gabuara e neologjizma të papranueshëm.

Mungesa e fjalorëve dygjuhësh është ndier sidomos në fushën e terminologjisë për degë të ndryshme të dijes. Kam të dhëna se është i vitit 1955 një fjalor dorëshkrim terminologjik serbisht-frëngjisht-shqip. Pastaj duke nisur nga viti 1960 janë përpunuar një varg i gjatë fjalorësh të tillë, sepse gjithashtu kishte nisur më 1963 botimi i fjalorëve terminologjikë nga Instituti i Historisë e i Filologjisë, prandaj nuk do t’i cek. Ferdinand Leka më 1970 ka bërë një recension për Fjalorin terminologjik serbisht-shqip të Sh. Veliut, S. Drinit dhe A. Zajmit (1961), duke e quajtur “një vepër të dobishme për t’u konsultuar nga specialistët dhe gjuhëtarët.”, pavarësisht prej të metave të vëna re.

Botimi i projektit të Rregullave të drejtshkrimit më 1967, pastaj vendimet e Konsultës Gjuhësore të Prishtinës, që çuan përfundimisht te Kongresi i Drejtshkrimit më 1972 sollën që edhe fjalorët dygjuhësh të kishin tashmë një bazë normative, kështu që u përmirësua dukshëm cilësia dhe pasuria e tyre. Më 1974 Instituti Albanologjik i Prishtinës botoi një Fjalor serbokroatisht-shqip, fjalori i tillë më i madh deri në atë kohë dhe pa dyshim më i pasur. Kishte filluar të hartohej shtatë vjet më parë, prandaj nuk arriti të pasqyronte Kongresin e Drejtshkrimit. Megjithatë dua ta tregoj se ndër pesë autorët Abdulla Zajmi erdhi në Institutin tonë, e kanë falënderuar në Parathënie Androkli Kostallarin, ndërsa ka punuar gati një muaj me ne për të marrë përvojën tonë, sepse tashmë e kishim përgatitur vëllimin e parë të Fjalorit madh të gjuhës shqipe, por rrjedha e mëtejshme ka qenë ndryshe. Për këtë e quaj nder, që kam një kopje të atij Fjalori me nënshkrimin e Abdulla Zajmit “si shenjë kujtimi”. Është ribotuar më 1986 me një shtesë në fund.

Dy vjet më pas Mikel Ndreca botoi anasjelltas një Fjalor shqip-serbokroatisht, po siç e thashë, kjo është një punë më e vështirë, aq më tepër që ende nuk e kishim nxjerrë Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe më 1980. Edhe Fjalori shqip-serbokroatisht i Institutit Albanologjhik të Prishtinës përsëri me po ata gjashtë autorë: A. Zajmi, M. Bardhi, S. Drini, L. Mulaku, G. Luboteni, S. Imami doli pa e pasur si mbështetje Fjalorin e vitit 1980, por ai ka përparësinë e madhe, se është mbështetur në një bibliografi të gjerë të fjalorëve të shqipes dhe si redaktor konsulent pati gjuhëtarin tonë të njohur Idriz Ajeti. Më 1999 kemi botuar një “Fjalor frazeologjik ballkanik” me rreth 5000 njësi në pesë gjuhë; pjesa shqip-serbokroatisht është përgatitur prej meje.

Nuk kam pasur mundësinë të shqyrtoj “Fjalorin shqip-serbisht dhe serbisht-shqip” të Enes Tunës, botuar më 2005 në Beograd, 1077 faqe. Ndërkaq, tashmë edhe te fjalorët është pasqyruar ndarja e dy gjuhëve, prandaj më 2010 në Sarajevë është botuar “Fjalori kroatisht-shqip” nga Burim Axhaneli dhe në një libër mësimi, botuar më 2018, Maksimiliana Barançiqi ka një Fjalorth arbanisht-kroatisht dhe kroatisht-arbanisht.

Kjo paraqitje e ngjeshur e historisë së këtyre fjalorëve dygjuhësh është e nevojshme për të kuptuar daljen e një fjalori të ri. Në radhë të parë, dëshiroj të vë në dukje faktin më të rëndësishëm historik. Tashmë serbishtja është një gjuhë e huaj për ne, shqiptarët, si gjithë gjuhët e tjera të huaja, dhe jo e detyrueshme në kushtet e një dygjuhësie të detyruar. Shkurt, ky fjalor del në një kontekst tjetër dhe përfshihet në leksikografinë dygjuhëshe të shqipes krahas gjuhëve të tjera, në një kohë kur kemi me të vërtetë një shpërthim të vërtetë të fjalorëve dygjuhësh. Gjithashtu del në një kontekst tjetër gjuhësor, domethënë kur tashmë kemi festuar 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit, kemi botuar e ribotuar disa herë fjalorin shpjegues të shqipes, kemi fjalorë terminologjikë të gjerë, jo vetëm si disa prej atyre anemikëve të 60 vjetëve më parë. Prandaj e përshëndes ardhjen e një fjalori të ri në familjen e madhe të fjalorëve dygjuhësh të shqipes dhe, natyrisht, e përgëzoj autorin Rexhep Zllatku për punën e madhe e të mundimshme që ka bërë gjatë shumë vjetëve.

Gjithkush e ka të lehtë ta vërë në dukje, që dallimi i këtij fjalori të ri, kundrejt gjithë traditës së mëparshme, është pasuria më e madhe e fjalëve, përfshin afër 80 mijë fjalë. Por vëniia në dukje e kësaj merite është e pamjaftueshme. Autori ka ndjekur një rrugë të re për hartimin e tij. Veprat e mëparshme e merrnin fjalësin nga përvoja vetjake dhe sidomos nga fjalorët dygjuhësh serbisht-gjuhë e huaj. Kurse Rexhep Zllatku ka marrë fjalorin shpjegues të gjuhës serbe. Autorët e mëparshëm kanë ndjekur atë çka u jepte përvoja dygjuhëshe me të tjera gjuhë. Nuk dua ta vë në dyshim, se kjo rrugë është e dobishme sidomos në hapat e parë kur ballafaqohen dy gjuhë në një fjalor. Megjithatë besoj se në vend të arsyetimeve teorike, mjafton më mirë një shembull konkret. Në Fjalorin e vitit 1974 mbiemri i serbishtes ‘mlad’ është përkthyer vetëm me mbiemrin e shqipes ‘i ri’ dhe është konkretizuar me një varg togfjalëshash. Ndërsa në fjalorin e tanishëm me këtë mënyrë të ndryshme janë ndarë 6 kuptime dhe janë këto fjalë të shqipes: i ri, rishtar, fillestar, i vogël, i njomë, i porsaformuar, i hershëm, më i ulët, duke e ilustruar secilin rast me togjet përkatëse. Te folja doći më 1974 ka vetëm 10 gjysma rreshti, ndërsa tashti kemi 14 kuptime me thëniet e tyre dhe një kolonë me shprehjet idiomatike. Nuk ka nevojë për shembuj të tjerë, për të dëshmuar se fjalori i ri ka një pasuri të madhe thëniesh dhe shprehjesh frazeologjike. Këto jo vetëm janë një pasuri e brendshme, por janë edhe ato që u nevojiten më shumë përdoruesve.

Alfabeti i përdorur është ai latin, ndërsa në botimet serbe vijon të përdoret gjerësisht alfabeti cirilik. Kjo do të thotë se ky fjalor në radhë të parë u drejtohet përdoruesve shqiptarë dhe kjo është një zgjidhje e drejtë, sepse tashmë edhe nga lexuesit në Kosovë, jo vetëm nga lexuesit në Shqipëri, nuk mund të kërkohet që të mësojnë një alfabet tjetër. Ndërkaq, kjo ka edhe një dobi plotësuese. Neve nuk na takon të merremi me problemet gjuhësore që kanë mes tyre popujt sllavë jugorë, por kjo do të thotë se një fjalor i tillë mund të përdoret nga shqiptarët edhe kur shfrytëzojnë literaturën kroatisht e në ndonjë gjuhë që po përvijohet në këtë trevë. Njëkohësisht e quaj të drejtë të nënvizoj, se zgjidhjet e drejta në këtë fjalor mund të shërbejnë mjaft mirë edhe për fjalorët dygjuhësh të gjuhëve sllave jugore-shqip, sepse pavarësisht nga dallimet e kuptueshme ndërmjet tyre, do të pranohet pa asnjë mëdyshje, që këto janë gjuhë mjaft të ngjashme ndërmjet tyre, si edhe janë njësoj nën ndikimin e gjuhëve të kulturës europiane përgjithësisht. Me fjalë të tjera, çdo përparim në një fjalor dygjuhësh është i vlefshëm edhe për fjalorët me gjuhët e tjera.

Së fundi, gjetjet e drejta shqip kanë vlerë edhe për fjalorët e gjuhës shqipe. Kur në një fjalor përcaktohet me përpikëri nga të gjitha anët barasvlera e një fjale ose një shprehjeje në gjuhë të huaj me fjalën a shprehjen përkatëse në gjuhën shqipe, kjo ndihmon drejtpërdrejt edhe në të kuptuarit më mirë e në përcaktimin më të mirë të semantikës së njësive të shqipes. Më lejoni sërish të jap vetëm një shembull. Gjuhët e Ballkanit kanë mjaft huazime të përbashkëta turko-arabe. Një ndër këto është fjala hallall. Në Fjalorin e vitit 1974 jepet përkthimi: “halal = hallall, bekim’ dhe si sinonim ‘blagoslov’ po me atë kuptim. Te Fjalori i R. Zllatkut del: “alal = bekim, uratë, hallall’. Mirëpo në ribotimin e Fjalorit të gjuhës shqipe më 2006 është shtuar fjala ‘hallall’ me këtë shpjegim: “diçka e merituar ose e drejtë”. Është jashtëzakonisht larg nga e vërteta. Mjafton dikush të dalë në rrugët e Tiranës dhe të shohë se ka edhe dyqan mishi “hallall” edhe “restorant hallall”. Me këtë mund të bëhet humor, sepse domethënë paska dyqan mishi diçka e merituar ose e drejtë!

Mund ta mbyll, duke thënë se Fjalori i Rexhep Zllatkut është një sukses për leksikografinë shqipe. Vlerat e tij vijnë edhe për një arsye tjetër thelbësore. Ky autor ka një përvojë të gjatë pune me gjuhën shqipe. Për mendimin tim, hartuesit e fjalorëve ndeshen me pasurinë më të gjerë të gjuhës, e cila mishëron përvojën historike dhe kulturore të një populli gjatë shekujve. Për këtë arsye hartuesi i një fjalori nuk mund t’ia dalë mbanë detyrës së vështirë që ka përpara vetëm duke qëmtuar në disa libra. Për mendimin tim, hartuesi i një fjalori duhet të ketë edhe përvojën nga përdorimi i gjallë i gjuhës, domethënë një leksikograf nuk mund të jetë i mirë, në qoftë se ai vetë nuk e ka përdorur shqipen në hartimin e librave dhe të shkrimeve ose të përkthimeve. Rexhep Zllatku e plotëson më së miri këtë kërkesë. Ai është autor i romaneve dhe i tregimeve, i dramave dhe i shkrimeve publicistike, që me mjaft modesti janë përmendur në fund të librit. Ai ka pasur një përvojë të gjatë edhe redaktimi gjatë punës si gazetar, madje më lejoni të përmend se ka redaktuar edhe një përkthim timin.

Por nuk mund ta mbyll pa vlerësuar në shkallën më të lartë botimin si libër nga Shtëpia Botuese “Logos-A”. Ajo tashmë ka arritur të nxjerrë libra me cilësi të shkëlqyer tipografike, libra të bukur nga jashtë dhe të këndshëm për leximin e tekstit të brendshëm. Kjo është meritë e një grupi tashmë të sprovuar, që ka në krye prof. Adnan Ismailin, ndërsa e ka veçuar si një degëzim më vete Bibliotekën Fjala, me redaktor doktor Zeqirija Ibrahimin. Edhe në pamjen e jashtme librat e kësaj biblioteke kanë një fytyrë të vetën, për të cilën merita i bie Edib Agagjyshit.

Përgëzime dhe urimet e mia më të mira për autorin Rexhep Zllatkun dhe për Shtëpinë Botuese “Logos-A”.

You may also like