Festivali i dritave Hanukkah/ Scholz bën thirrje për solidaritet me hebrenjtë

by admin
Spread the love

Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka bërë thirrje për solidaritet me hebrenjtë në Gjermani, teksa ka ndezur qiriun e parë në nisje të Hanukkah, festivalit të dritave që shënojnë hebrenjtë.

“Kjo ka rëndësi të veçantë për ne. Secili nga ne duhet ta përforcojë shprehjen “Kurrë më”!-tha Scholz në Berlin.

Scholz ndezi qiriun e parë në një shandan të gjatë me nëntë shtylla, të njohur si hannukiah, në Portën e Brandenburgut. Ai tha se ky shandan duhet të qëndrojë në zemrën e kryeqytetit gjerman, “si simbol i shpresës dhe besimit, dhe si simbol i lidhjeve të pandashme me hebrenjtë e shtetit tonë”.

Kancelari foli edhe për sulmet e grupit palestinez Hamas në tokën izraelite, dhe incidentet antisemitike në Gjermani.

“Nuk e pranojmë faktin që shtetasit tanë hebrenj duhet të frikësohen për të treguar hapur fenë e tyre, kulturën, përditshmërinë, kur dëshirojnë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre bazike për të qenë të dukshëm, të drejtë që e kanë të gjithë në shoqërinë tonë, pa dallim”, -tha Scholz.

Hanukkah përkujton ridedikimin e Tempullit të Dytë në Jerusalem pas një revolte kundër grekëve në vitin 164 para erës sonë, dhe “mrekullinë e dritës” së një qiriu që digjet për tetë ditë. Festivali zgjat tetë ditë. Çdo ditë, ndizet nga një qiri në shandan.


Top Channel

You may also like