Federiko Kieza: Mos të gënjejmë veten, Juventusi është ende në krizë

by admin
Spread the love

Juventusi u rikthye që të fitojë një ndeshje që pas asaj në muajin shkurt kundër Frozinones, në kampionat, me rezultatin 3-2. Gjithsesi, edhe pse bëhej fjalë për një hap shumë të rëndësishëm drejt finales së Kupës së Italisë, teksa mundën Lacion në gjysmëfinalen e vajtjes (ajo e kthimit luhet më 23 prill), për Federiko Kiezën, autorin e golit që zhbllokoi takimin, përpara se Vlahoviç ta mbyllte atë, kriza nuk ka kaluar ende. Kështu që përqendrimi duhet të jetë shumë i madh në pritje të ndeshjes me Fiorentinën në fundjavë, në kampionat, ku vetëm një sukses i dytë radhazi mund të ishte një sinjal përmirësimi.

Federiko, kundër Lacios më në fund u ripanë disa skorie të Juves së fazës së parë, sidomos në pjesën e dytë ku edhe dërguat në shtëpi një fitore të rëndësishme, që ju afron me finalen e Kupës së Italisë…

Në pjesën e parë nuk bëmë shumë mirë, por në të dytën hymë të bindur, ishim të uritur dhe kërkonim me çdo kusht rezultatin, atë fitore që na mungonte prej dy muajsh. Dhe realisht në fund mund të themi se jemi të gjithë të kënaqur, por këtu ka një diçka që duhet frenuar… Të martën luajtëm për Kupën e Italisë, kampionati është një tjetër gjë, shumë herë më i rrezikshëm dhe presionet janë tepër të mëdha. Prandaj, tani bëjmë mirë që të arkivojmë fitoren me Lacion në Kupën e Italisë dhe të mendojmë për atë pas tri javësh, kur të kemi ndeshjen e kthimit.

Pra, ju po thoni se kriza nuk ka kaluar?

Absolutisht jo, përndryshe do të gënjenim veten. Një fitore nuk na ndryshon sezonin. Po, na afron me një objektiv që kemi pasur në fillim të sezonit, por në kampionat në këto 8 javë luhen shumë gjëra të rëndësishme, për të gjitha skuadrat, kështu që motivimi është më i madh, rreziqet janë më të frikshme! Prandaj, duhet të bëjmë shumë kujdes që euforia të mos na gënjejë dhe të biem në një tjetër kurth ndaj Fiorentinës, edhe pse nga ato çfarë ofruam në lojë u duk se të gjithë nisëm të reagojmë nga pak…

Sa e vështirë do të jetë me Fiorentinën, duke qenë se bëhet fjalë edhe për një ndeshje shumë të ndjerë nga të dyja tifozeritë, që le ta themi disi butë, nuk e pëlqejnë shumë njëra-tjetrën, përkundrazi… Dhe ju si ish e dini mirë këtë gjë…

Ashtu si për të dyja tifozeritë edhe për mua do të jetë një ndeshje shumë e ndjerë. Në Firence kam grumbulluar shumë kujtime, por Fiorentina do të vijë në Torino për të bërë me të drejtë një ndeshje të madhe dhe për të ngjitur disa shkallë në renditje. Shkurt, do të jetë një betejë shumë e ashpër, sepse edhe në momentet më të vështira të këtyre dy klubeve, JuveFiorentina ka ndezur gjithmonë gjakrat.

Çfarë ju ka ndodhur në këto dy muaj, a mund të na e thoni shkurt e qartë?

Pas ndeshjes me Interin, ndoshta më saktë pas barazimit 1-1 në shtëpi kundër Empolit, diçka brenda nesh u fik, duke qenë se ishim të parët dhe donim që të thellonim edhe diferencën me Interin në renditje, për të shtuar presion, përpara duelit direkt në “San Siro”. Por ajo ndalesë ndoshta na fiku atë energjinë pozitive që ekzistonte brenda nesh deri në atë moment të sezonit se mund të ishim edhe ne në lojë deri në fund për titullin kampion. Por ndoshta dikush kishte të drejtë që ëndërronte, por dikush tjetër kishte edhe më të drejtë sesa ky i mëparshmi se për ne “treni i titullit” ndoshta ishte i pakapshëm. E them i pakapshëm sepse Interi nuk gaboi asnjë nga takimet e tij të vështira, të mëdha, të rëndësishme, ndërsa ne gabuam me ato që mendonim se mund t’i mposhtnim kollaj dhe gabuam shumë ndeshje radhazi madje. Prandaj them që pas suksesit me Lacion në kupë duhet vetëbesim, por edhe kujdes e përgjegjësi, për sfidën me Fiorentinën.

Pas vërshëllimave disa ndeshje më parë, për ju erdhën edhe duartrokitjet. Sa ju kishin munguar?

Nuk di ta them këtë, por ajo që mund të aprovoj është se vërshëllimat i pata merituar. Edhe pse nuk të pëlqejnë, këtë e kuptoja dhe vetë, ndaj nuk kam asnjë mëri ndaj tifozëve. Gjithçka duhet të meritosh në fushë… Kështu që siç meritova vërshëllimat, mbase meritova edhe duartrokitjet ndaj Lacios. Si ndihesh në këtë periudhë.

Të bëri mirë pauza e kombëtareve?

Problemi është që të ndihemi mirë të gjithë, të ecim paralel si grup, pasi unë apo Vlahoviç mund të jemi mirë. Por nëse unë nuk ndjej mbështetjen e skuadrës, apo unë nuk mbështes dhe eci në ritmin pozitiv të skuadrës, atëherë nuk mund të shkojmë askund. Shpresoj vetëm që tani e deri në fund të japim më të mirën tonë dhe…

Dhe… Çfarë do e quante pozitiv këtë sezon për ju, për Juventusin?

Pozitiv do të ishte që të kualifikoheshim dhe sa më shpejt në Ligën e Kampioneve, por në të njëjtën kohë ta mbyllnim me fitimin e Kupës së Italisë. Vetëm kështu mund ta ngushëllonim disi veten dhe tifozerinë tonë.

JETON STAMOLLA-PANORAMASPORT.AL

You may also like