ESTONI – Zelensky: Pauzat në konflikt ndihmojnë Rusinë

by admin
Spread the love

TALIN, 11 janar /ATSH-AFP/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi sot në Talin, në ditën e dytë të turneut të tij në Baltik, se çdo pauzë në mbrojtjen e Ukrainës kundër pushtimit rus vetëm do ta ndihmonte Moskën të riarmatosej dhe kjo do ta dërrmonte Ukrainën.

“Jepini Federatës Ruse dy ose tre vjet dhe ajo do të na shtypë. Ne nuk do ta ndërmerrnim atë rrezik (…) Nuk do të ketë pauzë në favor të Rusisë”, deklaroi ai gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologun e tij estonez, Alar Karis.

“Një pauzë në fushën e betejës, në territorin e Ukrainës, nuk është një pauzë në luftë. Kjo nuk do të thotë se është fundi i luftës. Dhe nuk çon në një dialog politik me Federatën Ruse apo me askënd”, këmbënguli ai.

Vizita e Zelenskyt, i cili gjithashtu do të vizitojë sot edhe Letoninë, vjen pas disa valëve të bombardimeve intensive ruse të pësuar nga Ukraina që nga fundi i dhjetorit.

Estonia, Lituania dhe Letonia, ish-republikat sovjetike tani anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, janë mbështetës të vendosur të Kievit përballë pushtimit rus.

Presidenti ukrainas përsëriti gjithashtu se anëtarësimi në NATO do të përbënte garancinë më të mirë të sigurisë për vendin e tij dhe për rajonin.

“Këto janë garancitë më të mira të sigurisë për Ukrainën, domethënë se nuk do të ketë kthim të agresionit rus. Garancitë më të mira të sigurisë për vendet baltike, Poloninë dhe mundësinë e parashikimit të një të ardhmeje tjetër për Bjellorusinë. E gjithë kjo është anëtarësimi i Ukrainës në NATO”, tha ai.

Presidenti estonez, nga ana e tij, e siguroi atë për mbështetjen e pandërprerë të Estonisë për Ukrainën./ a.jor.

The post ESTONI – Zelensky: Pauzat në konflikt ndihmojnë Rusinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

You may also like