Erdogan dënon fanatizmin izraelit për vdekjet e civilëve në Gaza

by admin
Spread the love

STAMBOLL, 9 nëntor /ATSH-DPA/ – Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka akuzuar Izraelin për fanatizëm në veprimet e tij në Rripin e Gazës.

“Ne jemi ballë për ballë me një fanatizëm që legjitimon edhe vrasjen e fëmijëve”, tha sot Erdogan në një samit të shteteve turke dhe të Azisë Jugore në Uzbekistan.

“Gati 11 000 civilë u vranë në sulmet të pamëshirshme izraelite”, tha Erdogan në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik (ECO) në Tashkent.

Erdogan akuzoi qeveritë perëndimore, duke përmendur veçanërisht SHBA-në, se nuk kritikojnë as vrasësit e fëmijëve dhe as nuk bëjnë thirrje për armëpushim në Gaza.

Turqia është anëtare e aleancës së mbrojtjes perëndimore të NATO-s.

Erdogan fillimisht u përpoq të merrte një rol ndërmjetësues në konfliktin që shpërtheu pas sulmit të militantëve të Hamasit në Izrael më 7 tetor, i cili vrau mbi 1 400 banorë duke shënuar masakrën më të rëndë në historinë izraelite.

Turqia, javën e kaluar tërhoqi ambasadorin e saj në Izrael, të cilin Erdogan e ka akuzuar veçmas për krime kundër njerëzimit.

Erdogan pretendon gjithashtu se Hamasi, i konsideruar një grup terrorist nga BE-ja dhe SHBA-ja, janë luftëtarë të lirisë. //a.i/

You may also like