Edhe pse virtual, metaverse ndikon në mjedis –

by admin
Spread the love
Ardhja e metaverse ka krijuar një botë dixhitale me mundësi që në dukje janë të pafundme

 

Metaverse mund të tingëllojë si një koncept i çuditshëm dhe i largët, por fakti është se ai tashmë ka një prani të madhe në shoqërinë tonë.

Dhe, si çdo gjë tjetër, po ndikon shumë në planetin Tokë. Pavarësisht faktit se i referohet një pjese krejtësisht virtuale të botës sonë, metaverse – ose fraksioni dixhital i shoqërisë sonë – lëshon gazra serë njësoj si çdo gjë tjetër.

Cili është saktësisht ndikimi mjedisor i metaverse?

 

Çfarë është metaverse?

“Metaverse” është një term i cili u bë shumë i njohur, kryesisht pasi Facebook ndryshoi emrin në “Meta” në vitin 2021. Me pak fjalë, ai në thelb është bashkimi i botës virtuale, të shtuar dhe asaj dixhitale, sipas Fortune.

Platformat si Sandbox, Mirandus dhe Decentraland u mundësojnë përdoruesve të ndërveprojnë në jetën reale dhe në mënyrë dixhitale. Sigurisht që në të ardhmen priten shumë të reja nga metaverse. Megjithëse është ende në proces zhvillimi, tashmë është bërë realitet, duke ndryshuar edhe mënyrën se si jetojmë.

 

Cili është ndikimi i metaverse?

Ka disa aspekte pozitive mjedisore të metaverse – disa thonë se do të ulë numrin e udhëtimeve që njerëzit bëjnë për arsye biznesi apo argëtimi dhe, si rrjedhojë, do të ulë ndotjen. Megjithatë, ai ka edhe anët negative.

Sipas Data Quest, analistët janë të shqetësuar se metaverse mund të sjellë një fluks të emetimeve të gazeve serë. Teknologjia e realitetit virtual dhe qendrat e të dhënave përdorin Inteligjencën Artificiale dhe shërbime cloud, të cilat kanë nevojë për sasi mjaft të mëdha energjie.

Një studim i kohëve të fundit vlerëson se trajnimi i vetëm një modeli të Inteligjencës Artificiale mund të gjenerojë 626,000 paund dioksid karboni, që është më shumë se pesëfishi i sasisë së gazeve serë të emetuara nga një makinë gjatë gjithë jetës së saj. Lojërat në cloud, që janë të nevojshme për realitetin virtual, mund të rrisin gjithashtu emetimet e karbonit deri në vitin 2030.

Kjo do të rriste kërkesat për imazhe me rezolucion të lartë, nga e cila do të lindte nevoja për më shumë energji. Qendrat e të dhënave si Facebook dhe Microsoft kanë premtuar se do të arrijnë emetime neto zero, megjithëse kjo ka shumë të ngjarë të mos realizohet nëpërmjet kalimit te burime më të pastra të energjisë, por duke bërë më shumë “investime mjedisore”.

Meqenëse zhvillimi i vazhdueshëm i realitetit virtual do t’i nxisë njerëzit të blejnë teknologji të reja, kjo do të sillte një fluks të mbetjeve elektronike – të cilat po ndotin tokën, ujërat nëntokësore dhe landfill-et.

 

Çfarë mund të bëjmë për të ulur ndikimin e metaverse?

Tani për tani, u takon kryesisht korporatave të mëdha që të gjejnë mënyra miqësore me mjedisin për të ndërtuar realitetet virtuale. Por, për të qenë më të përgjegjshëm me veten, angazhohuni për riciklimin e duhur të mbetjeve elektronike dhe blerjen e pajisjeve elektronike të përdorura.

Gjithashtu, përpiquni të përdorni rezolucionin standard (SD) në telefonin tuaj, jo atë të lartë (HD), për të ndërvepruar me metaverse, pasi HD ka ndikim më të madh mjedisor dhe lëshon më shumë emetime karboni.

Megjithatë, përgjegjësia për këtë lloj ndikimi u takon korporatave të mëdha, por është e rëndësishme që të gjithë të bëjnë pjesën e tyre. / World Economic Forum

You may also like