Edhe Kina merr masa për t’u shkëputur nga varësia e naftës ruse

by admin
Spread the love

China Petroleum & Chemical Corp, i njohur ndryshe si Sinopec, do të bëjë investimin më të lartë hapital në histori për vitin 2022. Sinopec parashikon të shpenzojë 198 miliardë juanë (31.10 miliardë dollarë) në vitin 2022, 18% më shumë nga një vit më parë, duke kaluar edhe rekordin e mëparshëm prej 181.7 miliardë juanë të vendosur në vitin 2013.

Investimet janë një përgjigje ndaj thirrjes së qeverisë kineze për të shtuar prodhimin e naftës dhe gazit dhe do të përqendrohen në bazat e naftës së papërpunuar në fushat Shunbei dhe Tahe, dhe fushat e gazit natyror në provincën Sichuan dhe rajonin e Mongolisë së Brendshme.

Sipas Reuters, Sinopec Group i kishte pezulluar bisedimet për një investim të madh petrokimik dhe një sipërmarrje të marketingut të gazit në Rusi, duke marrë parasysh thirrjen e qeverisë për kujdes ndërsa rriten sanksionet mbi Rusinë për ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë.

Çmimet e naftës Brent janë rritur me 52% që prej fillimit të vitit, duke arritur deri në 139 dollarë për fuçi në fillim të marsit.

Sinopec shton investimet pas një viti fitimprurës. Sipas të dhënave, për vitin 2021, falë rikuperimit të kërkesës për energji dhe rritjes së çmimit të naftës në epokën post COVID-19, fitimet neto të kompanisë arritën në 71.21 miliardë juanë.

Pekini po përpiqet të mbajë të sigurt furnizimin me energji. Planet janë për mbajtjen e prodhimit vjetor të naftës së papërpunuar në 200 milion ton dhe rritjen e prodhimit të gazit natyror në më shumë se 230 miliardë metra kub (bcm) deri në vitin 2025 nga 205 bcm që ishte në 2021.

Ndërkohë, rikthimi i një vale të re Covidi ka pasur një efekt pozitiv në këtë aspekt në Kinë. Kërkesa për benzinë ​​dhe naftë është ulur në Kinë pasi më shumë se 2 000 raste ditore të COVID kanë bërë që autoritetet lokale të vendosin kufizime të rrepta udhëtimi, ndërsa prodhuesit pezulluan operacionet për shkak të bllokimeve të zinxhirit të furnizimit.

Kina është importuesi më i madh i naftës ruse. Sasia e naftës ruse që eksportohet drejt Kinës përbën rreth 49% të totalit të eksporteve të këtij produkti.

You may also like