E shtuna, dita e madhe për Donjeta Sadikun, synohet norma olimpike ndaj kampiones së botës

by admin
Spread the love

E shtuna do të jetë ditë e madhe për Donjeta Sadikun dhe boksin e sportin kosovar.

Boksierja Donjeta Sadiku mund ta sigurojë normën olimpike, për të realizuar ëndrrën e paraqitjes në Olimpiadën “Parisi 2024”.

Donjeta Sadiku përballet me italianen Alessia Mesiano, në gjysmëfinale të kategorisë deri 60 kilogramë në turneun e parë botëror kualifikues për lojërat olimpike “Parisi 2024”. Turneu po mbahet në Busto Arsizio në Itali. Boksierja që shënon fitore kualifikohet në Lojërat Olimpike në Paris. Humbësja e ka edhe një rast, përkatësisht meçin me humbësen e gjysmëfinales tjetër.

Sigurimi i normës do të ishte sukses shumë i madh për Donjetën dhe boksin kosovar në përgjithësi. Deri më tani Kosova ka norma vetëm në xhudo për lojërat olimpike “Parisi 2024”.

Donjeta ka qenë bindëse deri më tani, ndonëse kishte garë shumë të ngarkuar. Ka fituar 5:0 ndaj britanikes Shona Whitwell, grekes Christina Linardatou dhe gjermanes Felicitas Ganglbauer. Kështu i është afruar normës.

Mesiana është boksiere me përvojë. 32-vjeçarja ka titull të botës në vitin 2016. Në vitin 2014 dhe në vitin 2022 ishte e treta në botë në boksin amator. Një dekadë më parë kishte fituar edhe medalje të bronztë evropiane.

Donjeta Sadiku, 24-vjeçare, në vitin 2022 fitoi medalje të bronztë botërore dhe evropiane. Ajo u paraqit në Lojërat Olimpike në Tokio, por me ftesë. Ishte e lënduar dhe u ndal menjëherë.

Boksierët e kanë vetëm edhe një rast tjetër për kualifikim në Lojërat Olimpike.

Turneu i dytë kualifikues botëror mbahet prej 23 majit deri më 3 qershor në Bangkok të Tajlandës. Kosova do të paraqitet edhe në atë turne.

 

You may also like