E ardhmja e Dybalas mbetet pezull, shtyhet takimi për rinovimin e kontratës

by admin
Spread the love

E ardhmja e Paulo Dybalës vazhdon të mbetet ende pezull pasi takimi midis agjentit të tij dhe drejtuesve të “Zonjës së Vjetër” është shtyrë. Kontrata e argjentinasit skadon në fund të sezonit dhe dy palët pritej të takoheshin nesër në një takim vendimtar për rinovimin.

Megjithatë, sipas Sky Sport Italia, mbledhja është shtyrë dhe nuk do të zhvillohet nesër. Përfaqësuesit e Dybala, përfshirë agjentin e tij Jorge Antun, kanë mbërritur tashmë në Torino, por është ende e paqartë pse takimi nuk do të zhvillohet.

Bardhezinjtë thuhet se do t’i ofrojnë Dybala një pagë më të ulët se ajo e rënë dakord disa muaj më parë. Dybala kishte pranuar të nënshkruante një marrëveshje prej 10 milionë euro në vit duke përfshirë bonuset, por kuptohet që oferta nuk është më në tavolinë.

Propozimi fillestar i Juventusit ishte 8 milionë euro plus 2 milionë euro në formë bonusesh, ndërsa oferta e re do të jetë ndryshe, me 7 milionë euro plus 3 milionë euro bonuse.

Nga ana tjetër, Barcelona, Inter dhe Tottenham janë duke i vëzhguar me kujdes negociatat e të dyja palëve pasi kërkojnë të përfitojnë në rast se argjentinasi nuk rinovon me Juventusin. /oversport.tv

You may also like