Dy vjet pas fillimit të luftës në Ukrainë, Putini shpreson tek zbehja e ndihmës perëndimore për Kievin

by admin
Spread the love

Në fillim të sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022, disa analistë parashikuan rënien e Kievit në duart e forcave ruse brenda tre ditësh. Por kjo nuk ndodhi.

Ndërsa lufta hyn në vitin e tretë, Presidenti rus Vladimir Putin po përpiqet që dështimin fillestar të ushtrisë ruse ta shndërrojë në një avantazh, duke shpresuar tek zbehja e ndihmës së Perëndimit për Ukrainën, ndërsa Moska vazhdon trysninë ushtarake në vijat e frontit. Kjo qasje afatgjate e zotit Putin po ndikon negativisht edhe brenda Rusisë, sepse konflikti po dëmton rëndë Rusinë, duke shteruar burimet e saj ekonomike, ushtarake dhe duke nxitur tensionet sociale. Megjithatë, vdekja e udhëheqësit të opozitës ruse, Alexei Navalny shërben si një kujtesë rrëqethëse e goditjes së pamëshirshme të Kremlinit ndaj kundërshtarëve të tij politikë.

Presidenti Putin ka sinjalizuar vazhdimisht se ka dëshirë për të negociuar përfundimin e luftës, por ka paralajmëruar se Rusia nuk do të heqë dorë nga territoret e pushtuara. Në fillim të këtij muaji, ai përdori një intervistë me ish-gazetarin e kanalit Fox News, Tucker Carlson, për t’i nxitur Shtetet e Bashkuara të bindin Ukrainën të hyjë në bisedime paqeje, duke theksuar se “herët a vonë, ne do të arrijmë një marrëveshje”.

Disa zhvillime të fundit kanë shtuar optimizmin e Kremlinit. Një projektligj mbi ndihmat për Ukrainën vazhdon të jetë i bllokuar në Kongresin amerikan, ndërsa aleatët e NATO-s janë përpjekur të plotësojnë mungesat e ndihmës amerikane pas fillimit të kundërofensivës së Ukrainës verën e kaluar. Vendimi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy për të shkarkuar shefin e tij të ushtrisë, gjeneralin Valerii Zaluzhnyi, zhgënjeu shumë njerëz në vend dhe shkaktoi shqetësim në mesin e aleatëve perëndimorë.

Ndërkohë, ish-presidenti amerikan Donald Trump, i cili në mënyrë të përsëritur ka thënë se do të negociojë një marrëveshje të shpejtë për t’i dhënë fund luftës nëse ai zgjidhej për një mandat tjetër, së fundmi tronditi NATO-n duke thënë se ai mund të lejonte Rusinë të zgjeronte agresionin e saj në Evropë, nëse vendet anëtare të aleancës nuk do t’i rrisnin shpenzimet e tyre të mbrojtjes.

Tatiana Stanovaya nga Qendra Carnegie për Rusinë dhe Euroazinë tha se një rikthim i mundshëm i zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë do t’i shërbente qëllimeve të Putinit.

“Ai e sheh zotin Trump si një udhëheqës që ka të ngjarë të shkaktojë shkatërrim dhe beson se pasojat e një presidence të dytë të zotit Trump do të dobësonin Perëndimin dhe mbështetjen që i nevojitet Ukrainës”, thotë analistja Stanovaya.

Ndërsa Kremlini pret të shohë shenja të mëtejshme të dobësimit të mbështetjes perëndimore për Ukrainën, forcat ruse pushtuan qytetin Avdiivka gjatë fundjavës pas një beteje të ashpër në të cilën forcat ukrainase raportuan një mungesë gjithnjë e më të madhe të municionit. Pushtimi i këtij qyteti ka hapur terrenin për një ofensivë të mundshme ruse më thellë në territorin e kontrolluar nga Ukraina.

“Ndërsa aktualisht nuk janë angazhuar në një ofensivë në shkallë të gjerë, njësitë ruse janë urdhëruar të kryejnë sulme taktike më të vogla që të paktën të shkaktojnë humbje të vazhdueshme për Ukrainën dhe të krijojnë kushtet për forcat ruse që të kapin dhe të mbajnë pozicione”, thonë ekspertët Jack Watling dhe Nick Reynolds nga Instituti “Royal United Services”. “Në këtë mënyrë, rusët po mbajnë një presion të vazhdueshëm mbi forcat ukrainase në një numër pikash.”

Rusia gjithashtu ka bërë përpjekje të dëmtojë industrinë ukrainase të mbrojtjes me një seri të vazhdueshme sulmesh. Ajo ka përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi, raketa balistike dhe dronët iranianë “Shahed” për të dëmtuar dhe mposhtur mbrojtjen ajrore ukrainase, e cila po përballet me një mungesë në rritje municionesh.

“Sa i përket kapacitetit të industrisë ruse për të mbështetur operacionet e vazhdueshme ushtarake, Rusia ka mobilizuar industrinë e saj të mbrojtjes, duke rritur dhe zgjeruar linjat e prodhimit në objektet ekzistuese. Ajo gjithashtu ka rihapur disa fabrika që kishin ndërprerë prodhimin e armëve”, thonë ekspertët Watling dhe Reynolds. “Kjo ka çuar në rritje të konsiderueshme të prodhimit të armëve dhe municionit.” Ata gjithashtu theksuan se industritë ruse të armëve vazhdojnë të varen nga furnizimet e perëndimit, duke argumentuar se zbatimi më i rreptë i sanksioneve mund të dëmtojë aftësinë e Rusisë për të prodhuar më shumë armë dhe municion.

Disa analistë të Moskës, megjithatë, e pranojnë se ushtria ruse po përballet me sfida të shumta. Gjenerali në pension Yuri Baluyevsky, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, pranoi se mbrojtja ajrore ukrainase i ka ndaluar efektivisht avionët luftarakë rusë që të veprojnë në hapësirën ajrore ukrainase dhe shpesh e bën të rrezikshëm funksionimin e tyre madje edhe në territorin e kontrolluar nga Rusia. Gjeneral Baluyevsky tha në një artikull të fundit se artileria e furnizuar nga perëndimi është superiore ndaj sistemeve ruse.

Zyrtarët dhe analistët perëndimorë vënë në dukje se ndonëse asnjëra palë nuk ka bërë përparim në vijën e frontit prej 1500 kilometrash, forcat ukrainase kanë kryer sulme të guximshme me raketa dhe dronë thellë pas vijës së frontit, duke rritur kostot për Kremlinin dhe duke sfiduar pretendimet e Putinit se jeta në Rusi është kryesisht e pandikuar nga lufta.

Ukraina ka ndërmarrë sulme të guximshme ndaj terminaleve dhe rafinerive të naftës thellë brenda Rusisë, si dhe ndaj mjeteve të detare dhe ajrore në rajonin e Detit të Zi, duke i dhënë goditje të rënda aftësive ushtarake të Moskës.

Forcat ukrainase fundosën dy anije sulmuese amfibe ruse dhe një luftanije dhe kanë sulmuar bazat ajrore në Krime, duke shkatërruar objektet e radarëve dhe avionë në Detin Azov dhe dëmtuan rëndë një qendër komanduese të forcave ajrore ruse dhe disa objekte të rëndësishme të shërbimeve ruse të zbulimit.

Zyrtarët perëndimorë vlerësuan efikasitetin e sulmeve ukrainase, duke vënë në dukje se Kievi ka përdorur me zgjuarsi burimet e tij të kufizuara për të shkatërruar rreth 20 për qind të Flotës ruse në Detin e Zi, duke i dhënë fund efektivisht mbizotërimit detar të Moskës atje.

Ministria britanike e Mbrojtjes, në një raport të fundit mbi gjendjen e luftës, tha se sukseset e Ukrainës detyruan marinën ruse të kufizojë ndjeshëm operacionet në perëndim të Detit të Zi, duke lejuar Kievin të zgjerojë eksportet e tij bujqësore pavarësisht tërheqjes së Moskës nga një marrëveshje e ndërmjetësuar nga Turqia dhe OKB, që garantonte sigurinë e eksporteve ukrainase të grurit.

Presidenti Putin, i cili pritet të fitojë një mandat tjetër gjashtëvjeçar në zgjedhjet presidenciale të 15-17 marsit, po përpiqet të konsolidojë mbështetjen publike duke e cilësuar konfliktin si një luftë kundër Perëndimit ekspansionist, që ka armatosur Ukrainën në një përpjekje për të dobësuar Rusinë.

Ndonëse ai pretendon se publiku mbështet në masë të madhe atë që Kremlini e quan “operacion special ushtarak” në Ukrainë, çarje të reja janë shfaqur në sistemin politik të vendit.

Mijëra rusë ndenjën në radhë të gjata në temperatura të ulëta në shumë qytete për të nënshkruar peticionin në mbështetje të kandidaturës së Boris Nadezhdinit, një politikan liberal që premtim kryesor të fushatës së tij kishte përfundimin e luftës në Ukrainë. Ndërsa zoti Nadezhdin u ndalua përfundimisht nga pjesëmarrja në zgjedhje nga zyrtarët zgjedhorë, të cilët shumë firma i shpallën të pavlefshme, shfaqja masive e mbështetjes për opozitën turpëroi Kremlinin.

Në një shenjë tjetër të shfaqjes së ndjenjave kundër luftës, gratë e disa ushtarëve të rekrutuar gjatë një mobilizimi të pjesshëm jopopullor në vjeshtën e vitit 2022 kërkuan lirimin e tyre nga shërbimi i detyruar ushtarak.

Por Putini ka vazhduar të vendosë kontrollin total në vend. Policia arrestoi qindra njerëz thjesht për vendosjen e luleve për nder të Alexei Navalnit, vdekja e të cilit i dha një goditje të rëndë opozitës tashmë të dëmtuar.

Verën e kaluar, Presidenti Putin u përball ndoshta me sfidën më serioze në qeverisjen e tij gati çerekshekullore, kur shefi i forcave mercenare Yevgeny Prigozhin urdhëroi kompaninë e tij ushtarake private të marshonte drejt Moskës për të rrëzuar udhëheqësit e lartë ushtarakë të vendit. Rebelimi i shkurtër përfundoi me një marrëveshje që parashikonte vendosjen e mercenarëve në Bjellorusi, aleate e Rusisë. Zoti Prigozhin vdiq në një aksident të dyshimtë avioni dy muaj më vonë, që u konsiderua gjerësisht si hakmarrje e Kremlinit.

Vdekja e tij forcoi autoritetin e Putinit dhe çimentoi besnikërinë mes elitës, por incidenti tregoi brishtësinë e pushtetit të Kremlinit.

Pavarësisht sfidave, potenciali i madh ekonomik dhe ushtarak i Rusisë i jep Putinit aftësinë për një luftë të zgjatur.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov thotë se konflikti ka zgjatur më shumë se sa pritej për shkak të ndërhyrjes perëndimore. “Operacioni special ushtarak mund të zgjasë pak më shumë, por kjo nuk mund të ndryshojë rrjedhën e gjërave”, tha ai.

Mark Galeotti, drejtues i organizatës “Mayak Intelligence” thotë se “nuk ka një rezistencë të qartë ndaj Putinit” për shkak të “një shteti policor të vendosur fort dhe të përhapur atje për ta mbrojtur atë”.

“Pra, ne nuk duhet të presim që në një të ardhme të afërt trysnia të shkaktojë rrëzimin e tij nga pushteti”, tha analisti Galeotti. “Por nga ana tjetër, ne gjithashtu duhet ta pranojmë se kapaciteti i tij për t’iu përgjigjur krizave të papritura është zvogëluar në mënyrë të ndjeshme.”/ VOA


Top Channel

You may also like