Dy vjet në pushtet: Dekretet drakonike të talibanëve në Afganistan

by admin
Spread the love

Kur talibanët e kanë marrë pushtetin më 15 gusht 2021, shumë afganë kanë qenë në pritje të kthimit të frymës shtypëse, e cila e ka karakterizuar herën e parë kur grupi ka qenë në pushtet, në vitet ’90.

Fillimisht, talibanët kanë tentuar t’i sigurojnë afganët dhe komunitetin ndërkombëtar se janë moderuar, dhe janë zotuar se do t’i respektojnë të drejtat e njeriut dhe shtypit.

Mirëpo, dy vjet pas kthimit në pushtet dhe rrëzimit të Qeverisë afgane të mbështetur nga Perëndimi, islamistët e linjës së ashpër kanë dështuar që t’i zbatojnë premtimet e tyre dhe vazhdimisht i kanë kufizuar liritë e grave, i kanë shtypur zërat kundërshtues dhe kanë prezantuar forma brutale për ta vënë drejtësinë në vend.

Qeveria teokratike e talibanëve ka vendosur kufizime në çdo aspekt të jetës në Afganistan, përfshirë paraqitjet fizike të banorëve, në liri të lëvizjes, në të drejtën për të punuar e studiuar, si dhe qasjen në forma të argëtimit.

Gratë e kanë pësuar më së shumti, dhe grupe për të drejta të njeriut i kanë akuzuar talibanët se po tentojnë t’i zhdukin gratë nga jeta publike dhe që t’i burgosin ato nëpër shtëpi.

Deri më tani, talibanët i kanë lëshuar mbi 100 urdhra në linjë me interpretimin e tyre të ashpër të Ligjit islamik të Sheriatit.

Ministria për Promovim të Virtytit dhe Parandalim të Vesit është përgjegjëse për zbatim të ligjeve të talibanëve për moralin, përfshirë zbatimin e kodit të veshjes dhe ndasitë gjinore në shoqëri.

Pjesëtarë të policisë së “moralit” i kanë ndëshkuar publikisht shkelësit e vendimeve, me raste edhe në mënyrë të dhunshme.

Burrat dhe gratë janë burgosur, apo janë rrahur me kamxhikë nëpër hapësira publike.

Shumë prej urdhrave dhe kufizimeve të talibanëve janë rikujtim i veprimeve të tyre kur kanë qenë për herë të parë në pushtet, më 1996-2001, kur ata i kanë privuar afganët edhe prej të drejtave më bazike.

Prej kthimit në pushtet, talibanët e kanë futur nën tavolinë Kushtetutën e Afganistanit dhe e kanë ndryshuar sistemin e drejtësisë.

Dhe meqë, urdhrat e tyre nuk janë ligje, zbatimi nuk ka qenë i njëjtë.

Liderët lokalë të talibanëve me raste kanë lëshuar urdhra tjerë e kufizime edhe më të ashpra.

Afganët frikësohen se talibanët do të vendosin masa edhe më drakonike për të krijuar atë që e konsiderojnë sistem të “pastër” islamik në Afganistan.

Dekretet shtypëse të talibanëve

Këto janë disa prej kufizimeve që i kanë vendosur talibanët në shumë sektorë të Afganistanit.

Militantët ka shumë mundësi që do të vazhdojnë t’i zvogëlojnë të drejtat e grave. Grave u është ndaluar shkuarja nëpër universitet, dhe vendet e punës u janë kufizuar në masë të madhe.

Bizneset që udhëhiqen nga gratë janë ndaluar në shumë rajone. Punësimi i grave mund të pësojë edhe më shumë goditje nëse talibanët ua ndalojnë plotësisht grave shkollimin, sikurse në vitet ’90.

Aktualisht, vajzave u lejohet që të shkojnë në shkollë vetëm deri në klasën e gjashtë. Grupi militant pritet të rrisë shtypjen edhe ndaj mediave.

Shumë pak media të pavarura që operojnë aktualisht në Afganistan, përballen me kufizime të ashpra rreth asaj se çfarë mund të raportojnë.

Meqë mediat janë duke u përballur me censurë të vazhdueshme, skena dikur e llojllojshme e mediave në Afganistan, rrezikon të tkurret edhe më shumë.

Talibanët ka shumë mundësi që të angazhojnë më tepër policinë e “moralit” për t’i zbatuar dekretet e tyre, apo edhe që t’i ashpërsojnë dënimet.

Në muajt e fundit është raportuar për rritje të numrit të amputimeve, gjuajtjeve me gurë dhe ekzekutimeve, për ata, të cilët talibanët kanë gjykuar se kanë kryer krime./REL


Top Channel

You may also like