Duka në inaugurimin e zyrës së re të SHRF Korçë: Do t’i shërbejë zhvillimit të futbollit

by admin
Spread the love

Shoqata Rajonale e Futbollit Korçë ka inauguruar zyrat e reja moderne, që tani e tutje do të shërbejnë edhe si “shtëpia” e komunitetit të futbollit në këtë rajon. Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, Presidenti i kubit Skënderbeu, Ardjan Takaj, kryetari i SHRFK, Ilirjan Përmeti, personalitete të futbollit korçar dhe atij shqiptar si edhe përfaqësues ekipesh të këtij rajoni.

Për Presidentin e FSHF-së, Duka, krijimi i infrastrukturës së duhur po e ndihmon futbollin që të zhvillohet në të gjitha rajonet e vendit, teksa shprehu bindjen se kjo zyrë do të mirëpresë të gjithë anëtarët e komunitetit të futbollit duke u shërbyer secilit për çdo lloj suporti apo zgjidhjen e problemeve.

“Në strategjinë apo mënyrën e organizimit të Federatës Shqiptare të Futbollit nëpërmjet Shoqatave Rajonale në të gjithë Shqipërinë, që anë filluar të formalizohen le të themi edhe me infrastrukturën e domosdoshme për t’i shërbyer futbollit dhe për të qenë sa më afër futbollistëve dhe futbollisteve në çdo zonë rajonale.

Një nga këto është edhe Shoqata Rajonale e Futbollit Korçë, që inauguron këtë zyrë sot. Dikush tha me humor që zyra e SHRFK është më e bukur se sa zyrat e FSHF -së dikur shumë vite më parë. Jam shumë i bindur që do t’i shërbejë zhvillimit të mëtejshëm të futbollit, jo vetëm në Korçë por në të gjithë qarkun që mbulon kjo shoqatë rajonale”, tha Presidenti Duka, duke shtuar se qëllimi final është që shoqatat të fuqizohen financiarisht përmes bashkëpunimit me pushtetin vendor apo donatorë të tjerë në mënyrë që të mund të mbështesin zhvillimin e futbollit në çdo zonë.

“Nga kjo zyrë do të aplikohet për të gjitha projektet e FSHF-së, qoftë regjistrimet e futbollistëve, regjistrimet e skuadrave, organizimi i futbollit në rajon, i aktiviteteve, do të ketë edhe një lloj pavarësie financiare. Padyshim që si fillimi i këtij organizimi kudo nëpër të gjitha shoqatat rajonale, i vetmi donator është FSHF që po përballon buxhetet, por hap pas hapi vetë shoqatat do të forcohen, do të kthehen në një lloj federate rajonale në vete, në bashkëpunim me pushtet vendore dhe me bizneset duke krijuar raporte sponsorizimi, raporte komerciale për të shtuar më shumë buxhete dhe për t’ia rikthyer këtë fëmijëve të rajonit.

Tashmë të gjithë njerëzit e futbollit të këtij rajoni nuk kanë nevojë të vijë deri në FSHF, por mund të kryejnë procedurat në zyrën e SHRFK. I uroj suksese stafit që do të punojë në këtë zyrë, sa më shumë suksese të gjithë futbollit në rajonit e Korçës, pasi është një nga rajonet më të zgjeruara, por që ka një infrastrukturë të mirë që përfshin Pogradecin, Maliqin, Devollin apo Ersekën, pra ka shumë skuadra të nivelit profesionist dhe amator. U uroj të gjithëve suksese dhe sa më shumë rezultate pozitive në futboll”, – u shpreh Presidenti Duka në një prononcim për Fshf.org.

You may also like