Duhet koordinim mes Qeverisë dhe opozitës – Shqip

by admin
Spread the love

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu – Shoshi, njëherësh anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme, duke folur për situatën në veri të vendit, ka thënë se koordinimi mes Qeverisë dhe opozitës, duke përfshirë edhe konsultimet me partnerët ndërkombëtarë, janë të domosdoshme.

Në një bisedë në emisionin Magazina, me Blerina Neziri dhe Lirik Sylmetaj, Musliu – Shoshi tha se kryeministri Albin Kurti është dashur t’i merr parasysh kërkesat e SHBA-së, BE-së dhe vendeve të QUINT-it për targat, sepse Kosova nuk mund te lëviz përpara pa miqtë tanë ndërkombëtar.

“Largimi nga këshillat dhe kërkesat e SHBA-së, BE-së dhe vendeve të QUINT-it, pikërisht në fazën finale kur pritej përmbyllja e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është gabim i madh”. Shikoni në çfarë situate jemi tash. Jo vetëm që na kërkohet tërheqja nga vendimi për targat por edhe themelimi i Asociacionit. E kjo është dështim i qeverisë Kurti” ka thënë Musliu – Shoshi.

Deputetja nga radhët e PDK-së ka thënë se në këtë situatë patjetër se duhet koordinim mes Qeverisë dhe opozitës, gjë që sipas saj partia e saj gjithmonë ka shprehur gatishmëri.

“Në këtë situatë, koordinimi mes Qeverisë dhe Opozitës dhe harmonizimi i veprimeve institucionale, si dhe konsultimet me partnerët ndërkombëtarë, janë të domosdoshme. PDK gjithmonë ka qenë e gatshme për të komunikuar hapur dhe në vazhdimësi me Qeverinë rreth situatës së krijuar në pjesën veriore të vendit”, ka thënë Musliu – Shoshi për Radio Dukagjini.

Musliu – Shoshi thotë se si opozitë i kanë ofruar mbështetje kryeministrit Albin Kurti, por sipas saj, asnjëherë nuk është pranuar.

“Ne si opozitë kemi qenë shumë e qetë, nuk kemi dhënë shumë kritika, ia kemi lënë duar e lira Qeverisë Kurti. Edhe sot kur kërkesa për llogaridhënje e transparencë është më e pritshme se kurrë, nga kjo qeveri ka vetëm heshtje dhe injorancë”, ka thënë Musliu – Shoshi.

Musliu – Shoshi thotë se PDK nuk i ka votat e bollshme që të merr vendime, por gjithmonë do të jetë për ruajtjen e sovranitetit.

Lexo lajme interesante

You may also like