DUBAI – Erdogan: Izraeli të heqë dorë nga planet ekspansioniste

by admin
Spread the love

DUBAI, 13 shkurt /ATSH-AA/ – Izraeli duhet të heqë dorë nga planet e tij ekspansioniste dhe të pranojë zgjidhjen me dy shtete, deklaroi sot presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Nëse Izraeli dëshiron paqe të qëndrueshme, ai duhet të ndalojë së ndjekuri ambiciet e tij ekspansioniste dhe të pranojë ekzistencën e shtetit të pavarur palestinez, bazuar në kufijtë e vitit 1967”, tha Erdogan në Samitin e Qeverive Botërore në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA).

Ai u kërkoi gjithashtu vendeve të mbështesnin agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), duke e përshkruar atë si “një litar shpëtimi për gjashtë milionë refugjatë në Jordani, Siri, Liban dhe Palestinë”.

“Ne kurrë nuk do t’i lëmë vetëm vëllezërit dhe motrat tona palestineze”, shtoi Erdogan.

Erdogan mbërriti sot në EBA në kuadër të vizitës së tij dyditore për të marrë pjesë në samit.

Samiti treditor, me temën “Formësimi i qeverive të së ardhmes”, ka mbledhur së bashku zyrtarë shtetërorë dhe qeveritarë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, sektorit privat, akademisë, shoqërisë civile, medias dhe biznesmenëve nga vende të ndryshme./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like