Dolën xhiro me jet ski, por shkuan në drejtimin e gabuar. Vriten dy turistët – Shqip

by admin
Spread the love

Rojet bregdetare të Algjerisë kanë qëlluar për vdekje dy turistë që po pushonin në Marok. Siç raporton BBC ata kishin humbur në ujërat algjeriane pasi po bënin xhiro me jet ski.

Dy viktimat ishin mes 4 shtetasve franko-marokenë, që ishin nisur nga resorti Saidia në Marok. Një person i tretë është vënë në pranga nga rojet bregdetare që patrullojnë në kufirin e mbyllur mes dy shteteve. Në fakt, këto dy vende kanë një histori të gjatë tensioni që lidhen me pretendimet e Marokut mbi Saharanë Perëndimore.

Kufiri mes tyre u mbyll në vitin 1994. Dy vite më parë Algjeria ndërpreu marrëdhëniet dhe e akuzoi Marokun për veprime armiqësore. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga Rabati.

Të shtënat kanë shkaktuar zemërim në Marok pasi një peshkatar postoi pamjet të një trupi të pajetë mbi ujë. Mohamed Kissi ishte i vetmi nga grupi që mundi të kthehej në Marok.

“Humbëm drejtimin, por vazhduam derisa e gjetëm vetën në Algjeri”, tha ai, vëllai i të cilit Bilali, u vra. Sipas tij, ata nuk kishin pasur më karburant.

“Ne e dinim se ishim në Algjeri sepse një gomone e zezë algjeriane erdhi drejt nesh dhe personat në bord qëlluan drejt nesh. Falë Zotit unë nuk u qëllova, por ata vranë vëllain dhe shokun tim”, tha ai.

Kissi mohoi që grupi kishte tentuar të arratisej kur u zbuluan nga roja bregdetare. Madje sipas tij, vëllai kishte tentuar të fliste me ata para se të qëllohej.

Nga Algjeria deri më tani nuk ka asnjë reagim. Dy vendet ndajnë një kufi prej 2 mijë kilometrash të gjatë./tvklan.al

You may also like