Dodë Gjergji i uron Pashkë të Bardha të gjithë besimtarëve katolikë

by admin
Spread the love

Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji ka uruar të gjithë besimtarët katolikë për festën e Pashkëve duke thënë se me ringjalljen e Krishtit jeta ka ngadhënjyer mbi vdekjen.

“Në këto ditë të bukura kur e gjithë natyra po i rikthehet gjallërimit vet pranveror edhe ne që i besojmë Krishtit të ringjallur, po dalim nga përvoja kreshmore në përvojën e gëzimit  pashkvor, sepse me Ringjalljen e Krishtit, jeta përfundimisht ka ngadhënjye mbi vdekjen. E nëpërmjet të Ringjallurit, kemi faljen e mëkateve, shpresën e lume dhe jetën e pasosur”.

“Kjo ngjarje e madhe pajtimi, pastrimi dhe shpresëplote, është fryt i sakrificës së Zotit në kryqin e Kalvarit. Kur Hyji, për dashurinë që pati ndaj nesh, lejoi që Jezusi, Biri i Tij, të pësonte mundimet, e lëshojë në duart tona, me qëllim që dhënësi i jetës, të bëhej edhe shpëtimtari i saj. Dashuria e Hyjit është e përkryer, pasi Zoti lejoi të jetë i përbuzur nga ata që i ka krijuar, të gjykohej nga ata që po i shpëtonte dhe të vritej nga duart e atyre që do të besonin në Të. Ai, vërtetë vdiq në kryq. E, për t’u siguruar që kishte vdekur, me një  heshtë ia shporuan zemrën. E varrosën dhe vunë roje, ashtu që të siguroheshin se nxënësit nuk do të guxonin ta nxirrnin nga aty. E, të tretën ditë, vërtet u Ringjall, vërtet i shpëtoi nga vdekja gjithë ata që do të besojnë në të. Siç dëshmon Shën Pali Apostull: Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re të hirit (Khs. Rom 6, 4), që është paqja e Zotit, pa frikë, pasi jeta ka ngadhënjye mbi vdekjen, dashuria mbi urrejtjen, mëshira mbi mëkatin dhe e përjetshmja mbi të përkohshme”.

Ai ka thënë se njerëzit janë akoma “të kryqëzuar” në urrejtjen e zemrës së vet duke thënë se ka telashe mes vëllezërve, çifte që ndahen, vrasje e vetëvrasje, derisa përmend edhe luftërat që i bëjnë të fortit kundrejt të vegjëlve.

“Besimi në të Ringjallurin, gëzimi i fesë, hareja e shpirtit dhe shpresa e lume, na mundësojnë ta duam dhe t’i gëzohemi jetës, duke e lartësuar atë në dimensionin hyjnor. Jemi të vetëdijshëm se, sikur thotë Shën Pali, duhet të gëzohemi edhe pse  një kohë duhet të jemi të trishtuar. Pasi, mjerisht, bota akoma i nënshtrohet mëkatit adamik-lakmisë, logjikës kainike që e vret vëllain dhe psikologjisë së turmës që bërtet “hiqe, kryqëzoje”.  Si rrjedhojë, në këtë të përkohshme jetojmë të trishtuar përballë të këqijave që na rrethojnë. Këtë e pamë në pafuqinë njerëzore, për t’u përballur me një krijesë krejt  të padukshme (sikur ishte virusi). Sot vazhdojmë ta shohim njerëzimin akoma të ngelur të “kryqëzuar” në urrejtjen e zemrës së vetë, pasi edhe sot vëllezërit shamatohen me njëri-tjetrin, çiftet përlahen e shpeshherë ndahen, familjet bien në konflikt, e individët vrasin, vetveten apo  njeri-tjetrin. Pastaj, të fortit bëjnë “ligjin” në lagje, të pushtetshmit mbështeten mbi fuqinë e armëve, popujt e mëdhenjtë shfrytëzojnë  pasuritë e më të vegjëlve, shtetet e forta i shpallin luftë të panënshtruarave”.

Ipeshkvi Dodë Gjergji thotë se “edhepse bota e njerëzimi mburret me arritjet e shkencës, prosperitetit dhe liritë e fituara, megjithatë shumica më e madhe e njerëzve jetojnë akoma në varfëri, uri dhe përbuzje”.

Ai në mesazhin e tij për Pashkët përmend edhe luftën në Ukrainë duke thënë se nuk mund të mos ndjehet dhembje kur shihet se si pamëshirshëm bombardohen qytetet, se si njerëzit për një moment humbasin jetën ose shohin se si po zhduket para syve të tyre sakrifica e një jete.

Ipeshkvi Gjergji thotë se të gjitha këto gjëra të dhimbshme duhet të shërbejnë për të pasë më shumë shpresë.

“Gjitha këto gjëra që i përmendëm janë të dhimbshme dhe na nxisin që angazhohemi për kthyer shpresën e të klithim edhe më fuqishëm Aleluja! Ai u ringjall! U ringjall për ta dhuruar fuqinë e kthimit dhe dashurinë ndërnjerëzore! Le të këndojmë e le të galdojmë të përvuajturit, të mjerët, të shtypurit, e të  braktisurit e të dëbuarit, sepse Jezusi Zot, Jeta e të vdekshmëve është paqja jonë. Le të shpresojmë në Të, sepse vetëm nëpër Të e me Të do të kemi shitimin, shpërblimin dhe faljen e mëkateve.”.

“Ngjallja e Krishtit nga të vdekurit nuk është vetëm një ndodhi historike, një dëshmi kishtare, e aq më pak një instrument fetar. Ajo është një shfaqje reale e dashurisë së Hyjit Atë dhe të Birit të Tij, ndaj nesh, të cilët për shkak të mëkatit, jemi të detyruar të përballemi me mjerimin njerëzor, të mund të kemi dashurinë, lumturinë dhe paqen e vërtetë, që na dhurohet nëpër Krishtin Shpëtimtar”

“Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur, mos të molisemi në të sotmen, por të jeni të qëndrueshëm, të palëkundshëm e përparojmë vazhdimisht në veprën e Zotit, të vetëdijshëm se mundi jonë nuk do të mbetet i pafrytshëm në Zotin (Rom,15,58), sepse Ai është ringjallja jonë, pashkët tona! Të gjithëve ju urojë Pashkë të bardha. Krishti u Ringjall. Aleluja!”.

 

 

 

You may also like